Si nisin konfliktet në kafenetë e muzikës, Gashi: Njerëzit harxhojnë nga 30-40 mijë euro për një natë
Gazetari Kreshnik Gashi ka treguar se si ndodhin konfliktet në kafenetë e muzikës gjatë debatit në emisionin Pressing, ku po diskutohet për vrasjen e fundit të një kuksiani pas një zënke në lokalin “Cobra City” në Prizren.
Gashi ka thënë se flitet që në lokale të tilla ka njerëz shpenzojnë nga 30 deri në 40 mijë euro për një natë.
“Historitë urbane tregojnë se në këto lokale njerëzit paguajnë deri në 30-40 mijë euro për një natë. Pra këtu nuk flitet për vende si diskotekat e Prishtinës ku një shishe alkool kushton 2000 euro, por për njerëz që lënë mijëra euro në formë bakshishi etj.”, ka thënë ai në Pressing.
Ai ka thënë konfliktet në kafene të ngjashme nisin kur ndodh refuzimi për të paguar faturat e shtrenjta.
“Zakonisht konfliktet në këto kafet e muzikës që quhen nisin për shkak të refuzimeve për me pagu atë faturën e shtrenjtë e cila mundet me ardhë. Pra, po flasim për lokale të cilat në dukje janë shumë lokale të lira, mirëpo çmimet në to janë shumë të shtrenjta”, ka deklaruar tutje ai.
Sipas Gashit, në kafenetë e muzikës së natës, që janë fenomen në Kosovë, zhvillohet një garë se kush ka më shumë para.
“Historitë urbane për këto lokale, janë se aty lahen me pije energjike, lahen me pije alkoolike, pra nuk shkojnë me pi, por shkojnë me u la, me tregu sa pare kanë etj. Njerëzit që i menaxhojnë këto lokale, sigurohen që të tjerët me pagu dhe sigurohen që të tjerët me marrë mësim, që nëse dikush bënë probleme, ta marr një mësim”, ka thënë ai. /GazetaExpress
Lexo edhe:
Dëshmia që mund ta lë Kobrën gjatë në burg – Forenzika analizon materialin e rëndësishëm