23-11-2024

Sigurimet e automjeteve mund të shtrenjtohen për veturat e reja

Rritja e çmimit për sigurim të automjeteve është temë e përfolur kohëve të fundit. Mirëpo si BQK-ja ashtu edhe Shoqata e Sigurimeve janë të rezervuara të japin më shumë hollësi në lidhje me këtë çështje.

Zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti, për Radio Kosovën ka deklaruar se nuk është marrë ndonjë vendim për këtë gjë.

“Aktualisht nuk ka rritje të çmimeve të sigurimit të automjeteve. Ashtu siç ka bërë edhe në të kaluarën, për çdo vendim të ri Banka Qendrore e Republikës së Kosovës do ta njoftojë publikun”, ka thënë Ahmeti.

Edhe Shoqata e Sigurimeve të Kosovës ka dërguar përgjigje me shkrim ku nuk ofron ndonjë risi. Shoqata potencon se çështja e ndryshimit të çmimit të sigurimit është çështje individuale e secilës kompani të sigurimit dhe se nuk është në dijeni nëse ka ndonjë kërkesë të tillë të paraqitur nga siguruesit.

Por Radio Kosova mëson se kompanitë e sigurimeve kanë dorëzuar në BQK kërkesën për rritjen e çmimeve.

BQK-ja pritet të vendosë në muajin gusht në lidhje me çështjen, thotë burimi.

Çmimet e sigurimeve mund të rriten deri në rreth 30% për automjete të reja, e automjetet e lira do të kenë çmim më të lirë. Sepse sipas zyrtarëve, nuk ka kuptim që një veturë me vlerë 100 mijë euro të paguajë sigurim të njëjtë sikur një Golf 2.

Kjo formë mësohet se është e pëlqyeshme si nga shoqatat e sigurimeve, e po ashtu e pranueshme edhe nga BQK-ja.

Asnjë koment

Comments are closed.