Sigurimi shëndetësor i detyrueshëm: Ja çfarë përfiton qytetari dhe si do të bëhen pagesat
Projektligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor pritet të sjellë ndryshime të mëdha në sistemin shëndetësor në Kosovë, ku çdo qytetar përfshihet në sigurim dhe përfiton shërbime bazë sipas nevojës.
Sipas projektligjit, përfitimet për qytetarët do të përfshijnë një pako bazë të shërbimeve shëndetësore, që mbulon trajtime mjekësore, barna dhe shërbime të tjera esenciale, shkruan Indeksonline.

Qytetarët do të kenë qasje më të lehtë në shërbime përmes sistemit informativ shëndetësor, i cili mundëson verifikimin e statusit të sigurimit në kohë reale në të gjitha institucionet shëndetësore. Njëkohësisht, synohet që të zvogëlohen shpenzimet direkte nga xhepi i qytetarëve dhe të sigurohet një trajtim më i barabartë për të gjithë.

Për disa shërbime, do të aplikohet edhe bashkë-pagesa, që nënkupton se një pjesë e kostos do të mbulohet nga vetë pacienti. Ndërkohë, kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, si personat pa të ardhura apo në asistencë sociale, pritet të mbulohen nga buxheti i shtetit.
![]()
Një element i rëndësishëm i ligjit është edhe kushtëzimi i përfitimeve me pagesën e rregullt të kontributeve. Në rast se një person nuk i paguan kontributet për tre muaj radhazi, ai humbet të drejtën për të përfituar nga sigurimi shëndetësor deri në ripërtëritjen e statusit.

Sa i përket financimit të institucioneve shëndetësore, projektligji parasheh disa forma pagesash, përfshirë pagesën për shërbim, për rast të trajtuar, për kokë banori dhe përmes buxhetit të paracaktuar. Këto mekanizma synojnë të rrisin efikasitetin dhe transparencën në menaxhimin e sistemit shëndetësor.
Një nga elementet kryesore të ligjit është mënyra e financimit:
Kontribute të detyrueshme qytetarët që punojnë do të paguajnë sigurim bazuar në të ardhurat (pagë, pension apo vetëpunësim).

Pagesë e përbashkët (bashkë-pagesë) për disa shërbime, qytetari mund të paguajë një pjesë të kostos.
Shteti mbulon kategoritë në nevojë persona të papunë, familje në asistencë apo kategori të caktuara mbulohen nga buxheti.
Kusht për përfitim nëse kontributet nuk paguhen për 3 muaj, humbet e drejta për shërbime deri në ripërtëritje.
Për institucionet shëndetësore, pagesat do të bëhen përmes disa formave si:pagesë për shërbim, pagesë për rast (diagnostikë), pagesë për kokë banori (kapitacion), ose buxhet global.

Këto mekanizma synojnë rritjen e efikasitetit dhe kontrollin e kostove në sistem./IO
