21-11-2024

Sindikata e Arsimit paralajmëron protestë më 1 maj

Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar se nëse qeveria nuk shqyrton kërkesat dhe shqetësimet e paraqitura nga kjo sindikatë, do ndërmerren veprime sindikale. Drejtues të kësaj sindikate kanë bërë të ditur se më 1 maj do të organizohet një protestë, kurse në rast së kërkohet nga anëtarësia, do të vazhdohet edhe më grevë të përgjithshme në sistemin arsimor.

Një protestë më datë 1 maj pritet të organizohet nga Sindikata e Arsimit si paralajmërim për Ministrinë e Arsimit, se mund të ndërmerren hapa të tjerë sindikalë nëse nuk ka gatishmëri për të biseduar, gjë të cilën e kanë kërkuar tash e sa kohë përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit.

Nënkryetarja e Sindikatës së Arsimit, Vjollca Shala, i tha Radio Kosovës se hapat e paralajmëruar janë detyruar t’i marrin pasi po mungon dialogu social ndërmjet SBASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit.

“Meqenëse po e shohim që nuk po vendoset dialogu social ndërmjet sindikatës dhe ministrisë së Arsimit në fillimisht ndoshta do të fillojmë me një protestë e cila do të mbahet më 1 maj. Mandej do të fillohet me grevë një orësh, pastaj dy orësh e pastaj një ditësh. Urojmë që të mos shkojmë me grevë të përgjithshme e gjithë procesi mësimor të ndërpritet në Kosovë”, ka theksuar ajo.

Tutje, Shala tha se sistemi arsimor në vend është duke u ballafaquar më shumë probleme dhe për këtë është i nevojshëm dialogu me Ministrinë e Arsimit. Marrë parasysh këtë situatë, punëtorët e arsimit sipas saj po bëjnë kërkesa të vazhdueshme që të fillohet më hapa sindikalë.

“Janë mbledhur shumë probleme që e preokupojnë tani sistemin arsimor dhe mësimdhënësit në Kosovë. E dimë që kushtet e punës në shumë shkolla janë të mjerueshme. Pastaj do të debatojmë për çështjen e kontratave individuale të mësimdhënësve, një çështje që tanimë e kanë ngritur drejtoritë komunalë të Arsimit dhe disa prej komunave dhe për shumë çështje të tjera të arsimit në Kosovë”, ka shtuar ajo.

Në lidhje më paralajmërimin e Sindikatës së Arsimit për mundësinë e organizimit të protestës me datë 1 maj dhe për hapat e tjerë sindikalë që pritet t’i marrin në muajt në vijim, edhe përkundër përpjekjeve, Radio Kosova nuk ka arritur të marrë përgjigje nga Ministria e Arsimit.

Asnjë koment

Comments are closed.