25-11-2024

Sindikatat paralajmërojnë grevë, nëse Ligji i pagave nuk hyn në buxhetin e ri

Greva e protesta në afat të pacaktuar kanë paralajmëruar pesë organizata sindikale nëse në Ligjin për buxhetin e këtij viti nuk parashihen mjete financiare për Ligjin e pagave.

Këtë zotim e kanë dhënë në një takim të përbashkët kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, ai i Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla, nënkryetari i Sindikatës së Policisë, Shaban Tasholli, dhe kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, raporton KTV.

Ndonëse nuk ka qenë prezent në takim, veprime të njëjta ka paralajmëruar edhe kryetari i Sindikatës së Doganës, Ali Vitija.

Kështu, këto pesë sindikata të hënën ia kanë drejtuar një letër kryeministrit Albin Kurti, nga i cili kanë kërkuar takim të menjëhershëm rreth kërkesës së tyre.

Sindikata më e madhe, ajo e Arsimit, në një mbledhje të jashtëzakonshme me kryetarët sindikalë të komunave dhe universiteteve ka marrë mbështetjen për grevë në arsim nëse nuk parashihen mjetet për Ligjin e pagave.

Në këtë takim është propozuar që fillimisht të niset me grevë njëorëshe e më pas edhe me grevë në afat të pacaktuar.

Sipas Jasharajt, ata nuk po i bëjnë presion Gjykatës Kushtetuese që ta heqë masën e pezullimit të Ligjit për paga, por, siç ka thënë, Qeveria duhet t’i lërë të gatshme mjetet financiare në rast se gjykata e lejon zbatimin e ligjit.

Kryetari i SBASHK-ut e ka mohuar që për veprimet e paralajmëruara të jenë shtyrë nga dikush. Në zgjedhjet e vitit 2017 Sindikata e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë kishin nënshkruar një marrëveshje me koalicionin PDK-AAK-Nisma, e cila parashihte realizimin e disa kërkesave në sektorët e tyre.

Ligjin e pagave e ka pezulluar Gjykata Kushtetuese deri më 30 mars të këtij viti. Kjo gjykatë i ka thënë “Kohës” se pavarësisht komenteve e reagimeve të palëve të interesit do ta trajtojnë me përgjegjësi profesionale e ligjore çdo kërkesë.

Çështja e Ligjit të pagave është ende në procedurë dhe në bazë të ligjit nuk ka ndonjë afat të caktuar për vendimmarrje.

Ndërkaq Ministria e Financave ka theksuar se cilido që të jetë vendimi i Kushtetueses për Ligjin e pagave, janë të gatshëm t’i përgjigjen.

Rreth paralajmërimit të 5 sindikatave “Koha” ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga Qeveria e Kosovës, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Asnjë koment

Comments are closed.