Sipas Speciales, krimet ndaj katolikëve u kryen në Prizren e Kukës
Shqiptarët katolikë sërish janë konsideruar “kategori” që sipas Speciales kanë qenë cak i krimeve që pretendohet të jenë kryer nga anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Një gjë e tillë përmendet në vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake, përmes të cilit është konfirmuar aktakuza kundër ish-eprorëve të UÇK-së, raporton KOHA.
“Në veçanti, individët ishin shënjestruar për shkak të: (I) etnisë serbe; (II) etnisë rome ose ashkali; (III) feja katolike; 1916 (IV) përkatësisë ose simpatisë ndaj LDK-së ose ndonjë tjetër Partie e perceptuar si anti-UÇK; 1(v) që nuk janë bashkuar ose nuk kanë mbështetur UÇK; 1 (VI) punësimi aktual ose i mëparshëm i perceptuar si anti-UÇK; dhe / ose (VII) bashkëpunimi i pretenduar me autoritetet serbe, miqësia e pretenduar ose bashkëpunimi më serbët”, thuhet në pikën 443, faqe 193.
Përmes një funsote është e sqaruar se në cilat zona Specialja dyshon se ka pasur krime ndaj pjesëtarëve të komunitetit katolik. Pretendohet se krimet ndaj tyre janë kryer në dy zona, në Kukës dhe në ish-objektin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Prizren.
Prova materiale për përfshirjen e katër ish-eprorëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, sipas vendimit të gjyqtarit të Procedurës Paraprake, ka edhe për vrasjen e njerëzve të LDK-së ose mbështetësve të kësaj partie.
Për herë të parë, në një dokument të Speciales përmenden vrasjet e figurave të rëndësishme të LDK-së.
“Përkundër deklaratave të tilla, kur ballafaqohen me [e redaktuar], anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, përfshirë z. Krasniqi, të cilët ishin njoftuar rregullisht me , vrasjet dhe rrëmbimet e serbëve dhe vrasjeve dhe zhdukja e shqiptarëve, në veçanti e anëtarëve të vjetër të LDK-së, ishin të prerë të mohojnë akuzat në lidhje me vrasjen e bashkëpunëtorëve”, thuhet në pikën 471, faqe 211 të dosjes së Speciales.
KOHA e ka pyetur LDK-në në lidhje me këtë çështje, por ata nuk janë deklaruar.
Në dokumentin për konfirmim të aktakuzës, gjyqtari Nikolas Giju ka thënë se ka prova materiale që kjo katërshe ka dhënë informata të rreme në lidhje me krimet e pretenduara të UÇK-së. Me theks të veçantë përmendet Hashim Thaçi.
“Sa i përket kontributit të z. Thaçi në përpjekjet për të mohuar ose dhënë informacione të pasakta në lidhje me kryerjen e krimeve, materiali mbështetës tregon të paktën dy raste kur z. Thaçi personalisht ka dhënë informacione të rreme . [e redaktuar] [e redaktuar] .Edhe materiali mbështetës tregon raste të mëtejshme kur z. Thaçi kontribuoi në përhapjen e informacioneve mashtruese ose jo të plota në lidhje me aktivitetet e UÇK-së”, thuhet në pikën 458 të dosjes.
Aty përmendet edhe korriku i vitit 1998, ku, siç thuhet në dokument, Thaçi e Veseli nga ndërkombëtarët ishin vënë në dijeni për krimet e pretenduara të UÇK-së.
“Për më tepër, në korrik të 1998-s, Veseli bashkë me Thaçin kishin marrë pjesë në një takim me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, me ç’rast ai ishte njoftuar në mënyrë të qartë rreth krimeve të kryera apo që po kryheshin nga pjesëtarë të UÇK-së”, specifikohet në pikën 496, faqe 222.
Katër ish-anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, janë arrestuar muajin e kaluar për krime lufte në periudhën 1998-1999. Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.