Skandal: “Avullohen” mbi dy milionë euro në Thesarin e Shtetit, gjysma dalin jashtë Kosovës
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar mbrëmë një person, i cili dyshohet se bashkë me dy të tjerë, duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë mbi 2 milionë euro, raporton Express.
Përmes raportit 24-orësh, Policia ka bërë me dije se është bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit.
“Me 20.10.2020 23:35 pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar m/k dhe dy të tjerë gjenden në arrati. Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro. Është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Janë bërë bastisje të shtëpive të dyshuarve, nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë pronë e njërit nga të dyshuarit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport./Gazeta Express