13-02-2026

I dyshuari për dro*gë arratiset nga objektet e Policisë pas arrestimit në Gjakovë – IPK vihet në lëvizje

Një ngjarje serioze ka tronditur strukturat policore në Gjakovë, ku një i dyshuar për shitje të narkotikëve ka arritur të arratiset nga objektet e Drejtorisë Rajonale të Policisë, vetëm pak pasi ishte arrestuar.

Rasti ka ndodhur më 13.02.2026, rreth orës 00:30, në rrugën “Mark Malota” në Gjakovë.

Sipas informatave, njësia e DHTN-Gjakovë kishte pranuar njoftim nga Stacioni Policor në Gjakovë për ndalimin e një veture Golf 7, në të cilën ndodheshin dy persona të dyshuar: Klodi Muslija, rreth 20-vjeçar dhe Alban Dujaka, rreth 44-vjeçar.

Fillimisht, vozitësi kishte refuzuar të ndalojë dhe ishte larguar me shpejtësi, ndërsa gjatë ikjes kishte hedhur nga dritarja dy qese me marihuanë, me peshë rreth 3 gramë. Megjithatë, policia ka arritur t’i ndalojë dhe arrestojë të dy.

Duke qenë se të dyshuarit njiheshin si persona të përfshirë në shitje narkotikësh, hetuesit e DHTN-së, në koordinim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, kanë realizuar bastisje në banesën e Alban Dujakës, ku janë gjetur dhe sekuestruar rreth 20 qese me marihuanë, me peshë totale rreth 30 gramë.

Të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës, ndërsa ndaj Alban Dujakës është lëshuar aktvendim për ndalim 48-orësh, i cili është zbatuar.

Por situata ka marrë kthesë dramatike.

 
Pas intervistimit, për shkak të mungesës së hapësirës në zyra, i dyshuari Klodi Muslija ishte prangosur dhe vendosur përkohësisht në një karrige në korridorin e DHTN-së. Pikërisht aty, sipas burimeve, ai ka arritur të largohet nga objekti i Policisë dhe aktualisht ndodhet në arrati.

Ndaj tij nuk ka mundur të formalizohet aktvendimi për ndalim, pasi nuk është arritur të plotësohet dhe nënshkruhet dokumentacioni përkatës, çka, sipas burimeve, pamundëson në këtë fazë edhe kualifikimin penal për “Arratisje të personit të privuar nga liria”.

Lidhur me këtë skandal institucional, është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ndërsa rasti po hetohet nga DHTN-Gjakovë.

Fillimisht rasti ishte iniciuar nga Stacioni Policor në Gjakovë si “Posedim i narkotikëve”, por tashmë është proceduar si blerje, posedim dhe shitje e substancave narkotike.

Hetimet për kapjen e të arratisurit janë në vazhdim.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.