24-11-2024

Skandal: Studentët e UPZ-së nuk mund t’i marrin diplomat për shkak të “luftës” për rektor. MASHT-i hesht!

Tash e sa muaj asnjë student që i ka përfunduar studimet në Universitetin e Prizrenit, nuk ka mundur ta marrë diplomën.

Kjo ngase Universiteti Publik i Prizrenit “Ukshin Hoti”, nuk ka rektor.

Shumë studentë, kanë raportuar te Gazeta Blic se po dëmtohen rëndë profesionalisht, dhe kanë humbur edhe shumë konkurse pune në mungesë të diplomës.

“Kam diplomuar që një muaj e gjysmë, dhe nuk po mund ta marrë diplomën, për shkak se nuk ka kush ta nënshkruaj. Kam humbur edhe një konkurs pune”, i ka thënë Gazetës Blic një student i Fakultetit të Edukimit në UPZ, në kushte anonimiteti.

Ndërkaq, nga UPZ kanë fajësuar Ministrinë e Arsimit, për këtë situatë në universitetin publik.

Dekani i Juridikut, Kadri Kryeziu ka fajësuar për këtë gjë Ministrinë e Arsimit, e cila sipas tij e ka lënë bosh postin e rektorit.

Prof.Ass. Dr. Kadri Kryeziu / Dekan në UPZ

I kontaktuar nga Gazeta Blic, ai ka thënë se kjo është një papërgjegjësi totale e Ministrisë, duke pranuar se studentët po e pësojnë më se shumti nga ky ngërç.

“Është një pa përgjegjësi totale e Ministrisë së Arsimit, për shkak se kanë lënë UPZ-në tash e disa muaj pa rektor, pa ushtrues detyre, edhe jemi në një anarki totale.
Aty është një bord i cili e menaxhon universitetin, tre janë të nominuar nga Ministria e Arsimit, dhe katër i kemi nga universiteti dhe ata kanë për detyrë me zgjedh një ushtrues detyre por deri më tash nuk e kanë bërë.

Kjo absolutisht është e papranueshme e papërgjegjshme, s’ka koment. Ministria është përgjegjëse për mirëvajtjen” ka thënë Kryeziu.

Gazeta Blic ka provuar vazhdimisht të marrë një qëndrim të Ministrisë së Arsimit për këtë problem, por  shumica e personave të komtaktuar nuk kanë pranuar të flasin. Ndërsa zëdhënësi Valmir Gashi nuk është lajmëruar në telefon.

UPZ është pa rektor tash e sa kohë, për shkak se zgjedhja e Ismet Temajt është kundërshtuar nga ana e ish- rektorit Ramë Vataj, çka kjo bërë që kjo çështje të përfundojë në Gjykatë./GazetaBlic/

Asnjë koment

Comments are closed.