Drejtori Komunal për Arsim në Prizren, Skënder Susuri do të largohet nga kjo pozitë. Subjekti prej nga vjen ai, Nisma Socialdemokrate ka kërkuar lirimin e tij nga kjo detyrë, ndërsa në fillim të muajit maji, pritet të caktohet pasuesi i tij, shkruan sot “Gazeta e Prizrenit”.
Ndonëse nga Komuna nuk ka ndonjë informacion zyrtar, një vendim i tillë duket të ketë ardhur pasi Nisma në Prizren ka analizuar punën e përfaqësuesve te saj në ekzekutivin e Prizrenit, punën dhe përfaqësimin e tyre për një vit e gjysmë sa është në qeverisjen komunale.
Këtë e ka konfirmuar edhe kryetari i degës së Nismës Socialdemokrate në Prizren, njëherësh deputeti, Zafir Berisha.
“Pas analizave të bëra kemi ardhë në përfundim se duhet të rritet dinamika e punës në DKA-në e Prizrenit dhe në pajtim të ndërsjellë jemi pajtuar që Skënder Susuri të liroi pozitën aktuale të drejtorit edhe për arsye tjera profesionale një kuadër tjetër nga fusha e arsimit brenda strukturave të Nismës”, ka për thënë për “Gazeta e Prizrenit”, Berisha.
Ai ka thënë se Susuri është falënderuar për punën që ka bërë deri më sot edhe përkundër shumë problemeve të mëdha, që është përballuar.
Nisma ka sqaruar se për këtë qëndrim e ka njoftuar edhe partnerin e koalicionit dhe kryetarin Mytaher Haskuka.
“Nga fillimi i majit do t’i ofrojmë një kuadër tjetër për të vazhduar angazhimin me përgjegjësi në arsimin e Prizrenit, Gjatë kësaj fundjave do të përcaktohemi për personin që do të pasoi z.Susuri”, ka thënë për portalin “Gazeta e Prizrenit”, Berisha.
Gjatë kohës sa Susuri ka qenë në krye të DKA-së në Prizren, është përballur me kritika jo vetëm nga opozita, që me kërkesë të saj vitin e kaluar ishte mbajtur edhe një mbledhje e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal, për gjendjen në arsim, por kritika ka pasur edhe nga përfaqësues brenda partive në koalicion: Vetëvendosjes dhe LDK-së.
Megjithatë nuk konfirmohet nëse këto apo pakënaqësitë tjera brenda Nismës janë arsyet për largimin e tij.
Ndryshe, Susuri është drejtori i dytë në qeverisjen e Haskukës, që largohet nga pozita, por ky jo me vendim të kryetarit, por të partisë që e dërgoi në këtë post. Në vjeshtë postin e ka liruar edhe ish-drejtoresha për Shëndetësi, Flaka Siqeca, ndërsa si arsye për këtë është thënë të jetë vijimi i specializimit të saj jashtë Kosovës./GazetaePrizrenit.net/