Sondazhi i fundit i UBO-s: VV e para, ja radhitja e partive tjera – befasojnë AAK e NISMA
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë forca e parë politike në vend, edhe sipas matjes së fundit të opinionit publik e kryer nga kompania “UBO Consulting”. Ajo pasohet nga PDK-ja e cila gati ka ruajtur përqindjen e njëjtë krahasuar me sondazhin e marsit. E treta del LDK-ja. Sërish me një trend të dukshëm të rënies. Koalicioni AAK-NISMA janë befasia e sondazhit të qershorit.
Sondazhi që e paraqet sot gazeta online Reporteri.net, e i cili është siguruar përmes burimeve dhe nuk është porositur, është realizuar gjatë pjesës së parë të muajit qershor 2024, me 1065 respondentë dhe me margjinë të gabimit plus-minus tre për qind.
Gjatë omnibusit të rregullt të UBO Consulting, qytetarët janë pyetur edhe në sondazhin se për kë do të votonin nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel.
Sipas të dhënave në përqindjen valide të sondazhit që i ka siguruar gazeta online Reporteri.net, Lëvizja Vetëvendosje në tre muajt e fundit e ka ruajtur mbështetjen e saj, duke dalë kështu me 49.6 për qind. Dallimi krahasuar me matjen e marsit, rezulton 0.1% rritje, nga 49.5% sa kishte dalë partia e Kryeministrit Kurti, ndonëse gjatë kësaj periudhe Kosova dështoi të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.
PDK-ja, në fillim të qershorit, nëse zgjedhjet do të mbaheshin në datat e propozuara nga kryetari i saj Memli Krasniqi, sipas sondazhit të UBO’s do të renditej partia e dytë politike në vend, me 17% të votave. Dallimi i PDK-së krahasuar me sondazhin e para tre muajve del të jetë 0.1% rënie, nga 17.1 për qind sa kishte dalë në fillim të marsit.
LDK-ja edhe sipas matjes së fundit të UBO’s ka vazhduar trendin e rënies së mbështetjes. “Frika” e partisë së Lumir Abdixhikut që të shkohet në zgjedhje, sipas kësaj matje, duket se partisë i ka kushtuar me 0.5% rënie në sondazh. Në periudhën 3 deri 15 qershor 2024, kur është kryer matja, rezulton se LDK-ja do t’i kishte 15.5% të votave, duke mbetur kështu si forca e tretë politike në Kosovë. Në mars të këtij viti, LDK rezultonte 16 për qind, gati 2% më pak sesa në sondazhin paraprak.
Marrëveshja AAK-NISMA tek tash, sipas këtij sondazhi, ka nisur të jap efekt elektoral. Koalicioni i partisë së Ramush Haradinajt me Fatmir Limajn ka kapur 8.6% të mbështetjes, duke rezultuar se është rritur 1.7% më shumë se sa në mars kur kishin rezultuar me 6.9% të mbështetjes.
Rënie 2.6% nga marsi në qershor rezulton se ka Lista Serbe, e cila në matjen e fundit ka dalë me 3%, ndërsa në muajin mars kishte 5.6%.
Një rritje të lehtë në sondazh e ka Lista Guxo e dyshes Gërvalla-Peci. Nga 0.6% sa kishte dal në mars, kjo parti në qershor rezultoi 0.7%.
Derisa në këtë matje, për dallim nga ajo e marsit që nuk ishte përfshirë fare, figuron edhe PSD-ja e Dardan Molliqajt. Në sondazhin e qershorit, social-demokratët rezultojnë se kanë veç 0.4% të mbështetjes.
5.2 për qind e të anketuarve në këtë sondazh, kanë zgjedhur tjetër opsion kur janë pyetur për partinë politike për të cilën do të votonin në rast se do të mbaheshin zgjedhjet këtë të diel.
Nga 1065 respodentët e këtij sondazhi, 7.4% të tyre janë deklaruar të pavendosur, derisa 2.6% të tjerë kanë refuzuar të përgjigjen.
Në zgjedhjet e fundit nacionale më 14 Shkurt 2021, LVV-ja e kishte marrë 50.28%. Në këto zgjedhje, PDK-ja doli e dyta me 17 për qind. LDK-ja që atëherë udhëhiqej nga Isa Mustafa mori 12.7 për qind të votave. Ndërkaq, AAK-ja kishte marrë 7.1 për qind të votave.