Sot festohen Pashkët
Besimtarët e krishterë në të gjithë vendin, kremtojnë sot Pashkën. Kremtimi i Pashkëve është momenti më i madh në kalendarin liturgjik të Kishës Katolike dhe kishave të tjera të krishtera.
Në këtë ditë, Pashkët shënojnë ringjalljen e Jezu Krishtit pas kryqëzimit, ringjallje që simbolizon besimin te Zoti dhe shpresën për të gjithë besimtarët.
Mbrëmë në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, nën drejtimin e Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, është mbajtur ceremonia e Meshës Solemne të Pashkëve.
Ceremonia e vigjiljes së Pashkëve në Prishtinë filloi me lutjen për paqe dhe dashuri.
Gjatë mesazhit të tij, Imzot Dodë Gjergji ftoi besimtarët e katolikë që të mos hezitojnë t’i luten Zotit për të gjithë popujt pa marrë parasysh cilës fe i takojnë. Ai po ashtu bëri thirrje për pajtim mes popujve dhe për sukses në dialogun Kosovë – Serbi, në mënyrë që të dyja vendet dhe popujt të ndërtojnë të ardhme më të mirë.
Gjatë Meshës, imzot Gjergji, rikujtoi se pashkët janë festë e veçantë në botën e krishtere, ditë e ringjalljes së Krishtit, ditë e ringjalljes së shpresës, ditë e ringjalljes së jetës, ditë e ngadhënjimit të jetës mbi vdekjen dhe ditë e përjetësisë./rtklive