25-11-2024

Sot fillojnë punimet për riparimin e një pjese të rrugës së Hasit, në segmentin Bishtazhin-Damjan

Siç duket Ministria për Infrastrukturë  dhe Transport (MIT) ka mbajtur fjalën për fillimin e riparimit të rrugës rajonale të Hasit, Gjonaj-Bishtrazhin, që lidh fshatrat e Hasit të Prizrenit dhe  Gjakovës,  por sot kjo do të fillojë vetëm në segmentin Bishtazhin-Damjan, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Kjo konfirmohet nga MIT, ndërsa ceremonia është paraparë të mbahet në ora 12:00.

“Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, të shtunën merr pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve për rikonstruimin e rrugës Bishtazhin-Damjan, në hyrje të fshatit Bishtazhin”, thuhet në njoftim.

Për të parë se çfarë po ndodh me këtë rrugë, traseja e të cilës është deformuar tërësisht, dy javë më parë portali “Gazeta e Prizrenit” i është drejtuar MIT-it, ndërsa kemi marrë përgjigjen se “Pas ankesave të vazhdueshme të operatorëve ekonomik, tani Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka vërtetuar vendimin e MIT-së me një operator ekonomik dhe së shpejti pritet të nënshkruhet kontrata dhe të bëhet fillimi i punimeve për këtë rrugë”.

Në këtë rast pyetja është shtruar për tërë rrugën, Gjonaj-Bishtazhin, ndërsa MIT nuk ka përmendur se bëhet fjalë vetëm për fillimit të riparimit të një segmenti. Jozyrartisht merret vesh se projekti do të zbatohet në dy pjesë, atë Bishtazhin-Damjan dhe Gjonaj-Damjan ashtu siç ishte paraparë edhe me asfaltimin e rrugës, në vitin 2004.

Në fakt rruga është ndërtuar në këtë formë, dhe tashmë pritet të shihet kur do të nisë edhe riparimi i segmentit tjetër.

Ndryshe, portali  “GazetaePrizrenit.net”, ka shkruar disa herë për gjendjen e mjerueshme të kësaj rruge. Dy javë më parë kemi publikuar  një storie që ka arritur shikueshmëri të lartë, ndërsa është përcjellë edhe me komente për neglizhencë rreth intervenimit në aksin më të rëndësishëm rrugor të një rajoni, i cili edhe ka participuar  gati 1 milion euro për asfaltimin e tij. /GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.