Sot i jepet lamtumira e fundit 56-vjeçarit që vd*iq pas goditjes nga vetura derisa punonte afër Krushës së Madhe
Imer Hoti, punëtor i “Eko Drinia” humbi jetën mbrëmë tragjikisht pas një aksidenti në Nagavc të Rahovecit.
Sipas informacioneve, aksidenti ka ndodhur derisa shoferi, duke drejtuar veturën në rrugën kryesore nga Krusha e Madhe në drejtim të Rahovecit, në një pjesë të rrugës me kthesë në fshatin Nagavc, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin për shkak të mos përshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës.

Si pasojë, vetura ka dalë nga rruga në anën e djathtë dhe me pjesën e përparme ka goditur dy këmbësorë, të cilët ndodheshin jashtë rrugës, në trotuar.
Nga goditja, Imer Hoti ka pësuar lëndime të rënda dhe gjatë transportimit me autoambulancë drejt Emergjencës së Spitalit Rajonal në Prizren ka ndërruar jetë. Vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku kujdestar në emergjencë./GS


