Sot përfundon faza e dytë për subvencionim të efiçiencës së energjisë
Sot përfundon faza e dytë e thirrjes për subvencion të efiçiencës së energjisë.
Ministria e Ekonomisë (ME) ka njoftuar të gjithë qytetarët se qytetarët do të mund të aplikojnë sot deri në ora 23:59 për subvencionin, kur edhe përfundon Faza e dytë e thirrjes.
Në fazën e dytë për subvencion të drejtë aplikimi kanë të gjithë aplikuesit që janë kualifikuar në fazën e parë, pra që i kanë plotësuar kriteret në thirrjen publike të ME-së për subvencionim të efiçiencës së energjisë.
ME ka dhënë edhe disa sqarime shtesë:
Faza II
Pas kualifikimit në Fazën e parë qytetarët duhet të blejnë pajisjen e përzgjedhur sipas kritereve të specifikuara në thirrje, dhe më pas mund të aplikojnë për Fazën II përmes platformës e-Kosova që t’ju mundësohet përfitimi nga ky subvencion, duke ngarkuar dokumentet në vijim:
1. Faturën e rregullt apo kuponin fiskal të blerjes së pajisjes (fatura duhet të jetë jo më e vjetër se nga data e shpalljes së thirrjes së parë të datës 06.10.2022);
2. Vërtetimin e xhirollogarisë bankare apo kopjen e kartelës bankare;
3. Fotografi të pajisjes së blerë ose instaluar sipas kritereve të specifikuara në thirrje (pajisja duhet të jetë e instaluar dhe e gatshme për inspektim nga data 10.01.2023);
4. Fotografi të numrit serik të pajisjes;
5. Fotografi të etiketës së performancës së pajisjes (opsionale për stufa individuale me biomasë);
6. Për nënat vetushqyese për përfitim të subvencionit prej 90% për stufën individuale me biomasë dhe 60% për pompën termike ajër-ajër inverter (kondicioner/ klimë efiçiente) kërkohet të ngarkohet një dëshmi që konfirmon statusin e nënës vetushqyese.
7. Marrëveshja për Subvencionim duhet të shkarkohet në ëeb faqen e Ministrisë së Ekonomisë, e cila pas plotësimit në mënyrë elektronike (direkt në dokument në hapësirat e hijezuara) duhet të ngarkohet nga ana e Palës në platformën e-Kosova në formatin (PDF), në kuadër të Fazës II të aplikimit. Marrëveshjen mund ta gjeni në këtë link: https://me.rks-gov.net/sq/shpallje
Faza II – Aplikimi nga përfituesit e skemës sociale (kategoria I & II)
Për aplikuesit që janë përfitues të skemës sociale (kategoria I & II), faza II është e ndarë në dy hapa:
Hapi 1: Aplikanti duhet të ngarkojë në platformën e-Kosova, dokumentet në vijim:
1. Profatura – do të mundësohet vetëm për stufat individuale me biomasë dhe pompën termike ajër-ajër inverter (kondicioner/ klimë efiçiente);
2. Vërtetimin e xhirollogarisë bankare apo kopjen e kartelës bankare;
3. Dëshmi që vërteton mbështetjen e skemës sociale (kategoria I & II).
Për përfituresit e skemës sociale, ME do të transferojë mjetet financiare të subvencionit para blerjes apo instalimit së Stufës individuale me biomasë ose Pompës termike ajër-ajër inverter (kondicioner/ klimë efiçiente).
Hapi 2: Pas pranimit të subvencionit dhe blerjes së pajisjes duhet të përcjellen përmes email adresës: akee@rks-gov.net dokumentet në vijim:
1. Faturën e rregullt apo kuponin fiskal të blerjes së pajisjes (fatura duhet të jetë jo më e vjetër se nga data e shpalljes së thirrjes së parë të datës 06.10.2022);
2. Fotografi të pajisjes së blerë ose instaluar sipas kritereve të specifikuara në Thirrje; (pajisja duhet të jetë e instaluar dhe e gatshme për inspektim nga data 10.01.2023);
3. Fotografi të numrit serik të pajisjes;
4. Fotografi të etiketës së performancës së pajisjes (opsionale për stufa individuale me biomasë).
Ministria e Ekonomisë fton të gjithë qytetarët që janë parakualifikuar në Fazën e I-rë, që brenda afatit të përfundojnë të gjitha procedurat e cekura më lartë dhe në thirrjen publike në mënyrë që të jenë përfitues të subvencionit.