23-11-2024

Sot shpallja e vendimit për Ramadan Mujën

Ramadan Muja dhe të akuzuarit e tjerë në këtë rast në seancën e kaluar duke dhënë fjalën përfundimare, kishin kërkuar nga trupi gjykues lirimin nga akuza, raporton Kallxo.com.

Muja për katër pikat e aktakuzës në gjykimin e parë ishte dënuar me burgim prej dy vjetësh, me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Në rastin e njëjtë të gjykuar nga Gjykata e Prizrenit, Minir Krasniqi, ish-drejtor i Administratës Publike, ishte dënuar me 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht që për dy vjet të mos bëjë vepër tjetër penale. Si dhe të mos ushtrojë funksione publike për 18 muaj.

Kadri Ukimeri, ish-drejtor i Gjeodezisë, dhe Sadik Paçarizi, ish-drejtor i Urbanizmit, ishin dënuar me nga 8 muaj burgim me kusht që për 2 vjet të mos bëjnë vepër tjetër penale.

Ndaj Kadri Ukimerit tani është pushuar procedura penale pasi që i njëjti tashmë është i ndjerë.

Avni Ademaj, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, u dënua me 5 muaj burgim me kusht që për 1 vit të mos shkaktojë vepra tjera penale.

Rasti i Ramadan Mujës kishte shkuar deri në Gjykatën Supreme, e cila më pas e kishte kthyer atë në Gjykatën e Apelit. Dhe më pas Gjykata e Apelit kishte vendosur që rastin ta kthejë në rigjykim.

Pastaj Gjykata e Apelit vlerësoi se Gjykata Themelore në Prizren është jokompetente për ta gjykuar këtë çështje, andaj vendosi që Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore në Gjilan ka kompetencë territoriale për gjykimin e Mujës dhe të tjerëve.

Në akuzën e përfaqësuar nga prokurorja e shtetit Fikrije Fejzulahu-Krasniqi thuhet se Ramadan Muja akuzohet për katër pika të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Me të njëjtën akuzë, bashkë me ish-kreun komunal të Prizrenit, ngarkohen edhe pesë ish-zyrtarë të kësaj Komune: Sadik Paçarizi, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Avni Ademaj, Kadri Ukimeri (tashmë i ndjerë), Abdullah Tejeci, dhe Minir Krasniqi- drejtor i Drejtorisë së Administratës.

Avni Ademaj, Kadri Ukimeri, Abdullah Tejeci në periudha të ndryshme kohore për të cilat akuzohen, drejtuan Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër të Komunës së Prizrenit, ose ishin ushtrues detyre të saj.

Sipas akuzës, gjashtë të akuzuarit me qëllim dhe për arsye të sjelljes së dobisë pasurore për të tjerët, nuk kanë zbatuar një vendim të Gjykatës Supreme, kanë dhënë në shfrytëzim tokën që ishte nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe në një rast tjetër kanë dhënë në shfrytëzim pa pagesë tokën e Komunës, pa përfillur procedurat ligjore.

Kjo ka ndodhur gjatë një periudhe kohore prej vitit 2008 deri në vitin 2012, kur zyrtarët komunalë në këtë periudhë kanë kryer edhe një vepër tjetër penale, duke penguar edhe ekspertët tjerë të gjeodezisë për të dëshmuar nëpër seancat gjyqësore të të dëmtuarve nga këto keqpërdorime me toka, në së paku shtatë raste.

Për rastin e pengimit të punës së gjykatës emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte shfaqur një reportazh më 11 shtator 2011.

Vlera e disa prej tokave për të cilat ish-zyrtarët komunalë prizrenas akuzoheshin se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare kap shumën prej rreth 200,000 euro.

Asnjë koment

Comments are closed.