Sot Sulltan Nevruzi, ditë e shenjtë
Edhe pse shumica e vendeve në botë e festojnë në 21 Mars, Sulltan Nevruzi, ose siç njihet ndryshe Viti i Ri Persian, në Shqipëri festohet më 22 Mars. Novruz, në gjuhën perse do të thotë “ditë e re” dhe është festuar për më shumë se 3000 vite.
Tradicionalisht ajo nis sapo ndodh ekuinoksi pranveror. Në kalendarin iranian sot është dita e parë e vitit që daton gjithashtu me ikjen e dimrit dhe ardhjen e pranverës. Kjo ditë e rëndësishme për bektashinjtë por jo vetëm, lidhet me ditëlindjen e Imam Aliut, në të cilën sipas bektashinjve çdo gjë rigjallërohet, lind shpresa e ringjallja për njerëzimin.
Zakonisht kjo festë zgjat tre ditë. Besimtarët bektashinj shkëmbejnë vizita tek njëri-tjeri dhe më pas kryejnë ritet fetare, të cilat edhe këtë vit duhet të shmangen, për shkak të përhapjes së koronavirusit. Përsa i përket tryezës, nuk duhet kurrsesi të mungojë uji, veza, qirinjtë dhe jeshillëqet. Në ditët e festës, bektashinjtë mbjellin lule në shtëpitë e tyre ose vendosin në hyrje të portave degë ulliri.
Edhe pse në vendin tonë dita e Sulltan Nevruzit nuk festohet me të njëjtin intensitet si në vendet tjera, kjo ditë shënon pushim zyrtar në kalendarin tonë. Përveç kësaj, pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk harrojnë ta festojnë duke shtruar tryezën me ushqimet simbol të 22 Marsit. Pjatat tradicionale të Nevruzit janë byreku me monedhën brenda, që sipas traditës, kush e gjen nga pjesëtarët e familjes e pret një vit i mbarë. /Klan News