Sot tentimi i 41-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës
Deputetët do të tentojnë për herë të 41-të, sot në orën 11:00 të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.
Ndryshe të martën ka vazhduar punimet seanca konstituive e Legjislaturës IX të Kuvendit.
Kryesuesi Dehari kërkoi nga subjektet politike që nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë, që ta bëjnë këtë. Për përbërjen e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, votuan 51 deputetë, ndërsa kundër dhe abstenim nuk kishte.
Në mungesë të kuorumit për vendimmarrje, kryesuesi Dehari ndërpreu seancën për sot, duke paralajmëruar vazhdimin e saj të enjten, më 3 korrik, në orën 11:00.
Nga zhvillimet e tjera poltike, dje Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mbajti takime konsultative me liderët e Vetëvendosjes, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, subjektet e tjera i takon ditëve në vijim.
Ky cikël të ri konsultimesh është bërë lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO 124/25.
Takimet e para janë mbajtur me Kryeministrin në detyrë, njëherësh, kryetar i Vetëvendosjes, Albin Kurti, me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Osmani u ka bërë thirrje liderëve që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por gjithsesi brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrihet një pajtim rreth rrugës përpara për konstituimin e Kuvendit.
Po ashtu Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dje priti në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati. Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë në ciklin e ri të konsultimeve me partitë politike lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO124/25./rtk