24-11-2024

Sot votohet Qeveria Kurti

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, dy partitë që morën më së shumti vota në zgjedhjet e parakohshme nacionale të 6 tetorit, kanë arritur marrëveshje për formimin e qeverisë së re, duke i dhënë fund ngërçit politik për shkak të mos pajtimeve rreth ndarjes së posteve.

Këto dy parti janë pajtuar që qeveria e re të ketë 15 ministri, duke bërë që secila prej tyre të udhëheqë me nga gjashtë ministri, posti i kryeministrit t’i takojë Vetëvendosjes, kryeparlamentari LDK-së, ndërsa tri ministri do t’iu takojnë minoriteteve.

Sa i përket postit të presidentit, e cila ka qenë temë e nxehtë e negociatave të deritanishme, LVV dhe LDK kanë vendosur që kjo çështje të mbetet për t’u diskutuar më vonë.

Në zgjedhjet e tetorit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi 29 mandate, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 28.

Qeveria e Kosovës konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që i bije që së paku duhet t’i ketë 61 vota.

Kushtetuta e Kosovës parashikon edhe procedura të tjera në rast se Qeveria nuk merr shumicën e votave të nevojshme.

“Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet në Kushtetutë.

Po ashtu, theksohet se anëtarët e Qeverisë pas zgjedhjes, japin betimin para Kuvendit. Ndërsa, teksti i betimit është i rregulluar me ligj.

Kushtetua ka paraparë edhe ministritë dhe përfaqësimin e minoriteteve.

“Në Qeveri do të jenë së paku një ministër nga komuniteti serb dhe një ministër nga ndonjë komunitet tjetër jo shumicë në Kosovë. Nëse janë më shumë se dymbëdhjetë ministra. Qeveria do të ketë edhe një ministër të tretë, i cili përfaqëson një nga komunitetet jo shumicë në Kosovë. Do të jenë së paku dy zëvendësministra nga komuniteti serb i Kosovës dhe dy zëvendësministra nga komunitete të tjera jo shumicë në Kosovë. Nëse janë më shumë se dymbëdhjetë ministra, Qeveria do të ketë edhe një zëvendësministër të tretë, i cili përfaqëson komunitetin serb, dhe një tjetër zëvendësministër, i cili përfaqëson një nga komunitetet e tjera jo shumicë në Kosovë. Zgjedhja e këtyre ministrave dhe zëvendësministrave do të vendoset pas konsultimit me partitë, me koalicionet ose grupet që përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kosovë. Nëse caktohen kandidatë jashtë deputetëve të Kuvendit të Ko sovës, për këta ministra e zëvendësministra kërkohet miratimi formal i shumicës së deputetëve të Kuvendit, të cilët u përkasin partive, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin në fjalë. Kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ministrat e Qeverisë mund të zgjidhen nga deputetë të Kuvendit të Kosovës ose nga persona të kualifikuar, që nuk janë deputetë të Kuvendit. Papajtueshmëria e anëtarëve të Qeverisë lidhur me funksionet e tyre rregullohet me ligj”, thuhet në Kushtetutë.

Asnjë koment

Comments are closed.