22-11-2024

Specialja pritet ta rikthej vrasjen e Komandant Drinit, ftohet dëshmitari kryesor i këtij krimi

Remzi Shala, ish-pjesëtar i UÇK-së, është ftuar nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar si i dyshimtë për krime të luftës. Ai këtë e ka konfirmuar vetë për Gazetën Express, por ka thënë se nuk do t’i dorëzohet Tribunalit në Hagë.

Tashmë janë bërë publike disa ftesa që Gjykata Speciale u ka nisur një numri të ish pjesëtarëve të UCK’së, por për shumicën prej tyre nuk dihen arsyet konkrete të interesimit të prokurorëve dhe hetuesëve të këtij tribunali.

Megjithatë, Shala, një emër përgjithësisht i panjohur për publikun, fill pas përfundimit të luftës e ka një histori të mëhershme gjyqësore, për njërën prej vrasjeve që e kishte tronditur Kosovën, atë të Ekrem Rexhës, i njohur me emër të luftës si Komandant Drini.

Në vitin 2002, Shala, ishte dëshmitari kryesor në gjykimin e kësaj vrasje, ku i dyshuari kryesor kishte qënë një komandant, gjithashtu i njohur i luftës, Sali Veseli.

Sali Veseli, ish-anëtar i SHP të UÇK-së dhe gjeneral i TMK-së, ai ishte dënuar nga Paneli Ndërkombëtar Gjykues në Gjykatën e Qarkut në Prizren për vrasjen e komandant Drinit me 15 vjet heqje lirie, kurse i akuzuari tjetër Abit Haziraj, ish-pjesëtar i UÇK-së ishte liruar nga akuza për mungesë dëshmish.

Komandant Drini u vra në maj të vitit 2000, ndërsa Sali Veseli është arrestuar më 8 maj 2001.

Remzi Shala gjatë luftës kishte bashkëvepruar me Veselin, ndërsa pas luftës ishte bërë shofer i tij. Pas vrasjes së komandant Drinit, Shala u bë dëshmitari kryesor kundër mikut e shefit të tij.

“Për herë të parë kam kuptuar se po përgatitej vrasja e Drinit në zyrën e Veselit kur Fatosi (nofka e Halil Çadrakut) ka hyrë në zyrë të Veselit dhe i ka thënë atij se ‘këqyr çka ka shkruar ky qen, (për Drinin) në gazetën ‘Ditët e shpresës’”, ndërsa sipas Shalës, Veseli i ka thënë se “ti e di urdhrin dhe Fatosi ia ka kthyer se unë do ta gri këtë dhe do të hedh në bërllok”, kishte dëshmuar Remzi Shala në gjykimin e vitit 2002.

Më pas, Shala, në këtë proces gjyësor, kishte rrëfyer se si pas varrimit të Drinit, kanë festuar në “Pojata” ku ishin 13 persona, ndër të cilët Sali Veseli, Halil Çadraku, Sadik Halitjahaj, Alush Shala, Xhemajl Beqiraj, duke pranuar se aty ka qenë edhe vetë.

Sipas tij Veseli në atë drekë në “Pojata” ka thënë se “ne e vramë Drinin, ndërsa tani është në radhë Bislim Zyrapi dhe se unë e vras njerin dhe mirë ia lexoj referatin në varrim”.

Mirëpo, pas dënimit prej 15 vjetësh burg, Sali Veseli kishte ushtruar ankesë në Gjykatën Supreme. Ajo në vitin 2004 e kishte shpallur atë të pafajshëm, duke e liruar nga të gjitha akuzat, se ai ishte i përfshirë në vrasjen e komandant Drinit. Në këtë mënyrë, prej atëherë, ka mbetur e pazbardhur njëra prej vrasjave enigmatike e kryer në Kosovën e pasluftës.

Ftesa që i është bërë Remzi Shalës, tash në cilësinë e personit të dyshimtë, rritë spekulimet se Tribunali Special e ka në prioritet zbardhjen e kësaj vrasje.

Remzi Shala nga Suhareka u vetëdeklarua se është ftuar nga Gjykata Speciale për të shkuar në Hagë. Në një postim vështirë të lexueshëm në Facebook, ish-pjestari i UCK’së tha se do t’i përgjigjet Speciales, pasi nuk e njeh këtë institucion.

Avokati i Shalës, Natal Bullakaj, ka thënë për Gazetën Express se është i informuar nga Gjykata Speciale vetëm se klienti i tij është i ftuar si i dyshuar, ndërsa tregon se nuk e di se për cilin rast po ftohet.

Gazeta Express e ka parë thirrjen që ka marrë Shala për të shkuar në Hagë.

Shala, nga Suhareka, ka thënë për Gazetën Express se nuk do t’i përgjigjet thirrjes së Gjykatës Speciale – duke rrezikuar kështu që të gjobitet apo edhe të dënohet me burgim, siç e paralajmëron thirrja.

Në javën e parë të dhjetorit kanë filluar të publikohen emrat e personave që janë ftuar nga Haga.

Lista filloi me ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafën, i njohur si Remi.

Pastaj konfirmoi se nga Gjykata Speciale ësht ftuar edhe Sokol Dobruna, që ishte gjykatës i Gjykatës së UCK’së.

Avokati Arianit Koci ka konfirmuar se edhe ish-komandanti i Zonës së Drenicës është ftuar që të intervistohet nga Gjykata Speciale më datë 14 janar.

Deri tash emrat e publikuar si të ftuar të Specialës janë edhe Nazif Mehmet dhe Safet Syla. /Express/

Asnjë koment

Comments are closed.