Spitali i Pejës del me kërkesë publike: Mos na i lëshoni lopët në oborr
Spitali i Pejës ka dalur me një kërkesë publike ndaj futjes së bagëtive në oborrin e këtij spitali.
“Disa herë kemi reaguar dhe kemi shfaq shqetësimin përmes shkresave por edhe deklarimeve publike lidhur me fenomenin e pandërprerë që po ndodhë që sa vite lidhur me futjen e bagëtive në oborrin e Spitalit nga personat e pandërgjegjshëm, si dhe me numrin e madh të qenve endacak që rrezikojnë vizitorët dhe personelin tonë.
Futja e bagëtive më konkretisht numrit të madh të lopëve në oborrin e Spitalit rrezikon në skajshmëri pacientët nga infeksionet, pengojnë mbajtjen e higjienës, shkakton dëme në bimët që janë kultivuar dhe ruajtur për vite, dhe dëmton jashtëzakonisht imazhin e Institucionit tonë.
Personat e pandërgjegjshëm futjen e lopëve në oborrin e Spitalit e bëjnë duke dëmtuar rrethojat e oborrit apo formave tjera dhe me gjithë përpjekjet e punëtorëve teknik që zakonisht një nga ta duhet tërë ditën të merret me largimin e bagëtive nuk po arrihet që të parandalohet futja e këtyre bagëtive.
Spitali i Përgjithshëm në Pejë në mënyrë të vazhduar për vite me radhë përmes shkresave, fotografive e videove ka kërkuar nga organet përgjegjëse: Inspektorati i Komunës së Pejës, Policia e Kosovës, Inspektorati Sanitar, AVUK-ut etj, që të ndërmerren masa ndaj pronarëve të këtyre bagëtive por është çudi e madhe se si dhe pse lejohen këta pronarë të mbajnë lopë në qytetit dhe atë nëpër rrugët dhe oborret e Institucioneve pa u penguar fare e mos të flasim për ndonjë konfiskim.
Përmes kësaj komunikate apelojmë edhe një herë tek të gjitha Institucionet e nivelit Komunal dhe atij Qeveritar që të na ndihmojnë duke marrë masa konkrete ndaj pronarëve të bagëtive dhe duke zgjedhur problemin e qenve endacak sepse kjo është pengesë e jashtëzakonshme për punën e Institucionit tonë shëndetësorë” thuhet në reagimin e Spitalit të Pejës./Indeksonline/