25-11-2024

Spitali i Prizrenit më i ngarkuari në vend me pacientë me Covid-19

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës gati ka prekur limitet e kapaciteteve për nga numri i pacientëve që janë duke u trajtuar.

Sipas raportit të SHSKUK-së, këtë të hënë 917 pacientë kanë qenë të shtrirë aty, derisa 753 prej tyre tashmë janë të konfirmuar me COVID-19.

Klinika Infektive, e cila aktualisht trajton mbi 110 pacientë, tashmë nuk ka asnjë shtrat të lirë.

“Klinika është e mbushur me pacientë, por ne e dimë që nuk është vetëm Klinika Infektive që trajton pacientë me COVID-19, por ka disa klinika të tjera, kështu që hapësira për pacientë ka në klinika të tjera”, ka deklaruar Izet Sadiku, u. d. i drejtorit të Klinikës Infektive.

Me numër minimal të shtretërve të lirë ka mbetur edhe objekti trekatësh i Mjekësisë Sportive, në të cilin po trajtohen rreth 90 pacientë.

“Në Klinikën Infektive 2 ose objekti i Mjekësisë Sportive, kapacitetet janë të mbushura në dy javët e fundit, pra kapacitetet maksimale i kemi 95 pacientë dhe gjithashtu i kemi tri raste të cilat janë për çështje të dializës, tri vende të lira në të cilat pacientët që janë të hospitalizuar këtu kanë nevojë edhe për hemodializë. Gjatë këtyre dy javëve të fundit kemi pranime dhe lirime dhe numri i pacientëve është rreth 90”, ka thënë Artan Ahmeti, drejtor i Mjekësisë Sportive.

Në spitale rajonale janë duke marrë trajtim spitalor 553 persona, prej të cilëve Spitali i Prizrenit mbetet më i ngarkuari, me gjithsej 133 pacientë.

Gjatë 24 orëve të fundit 4 persona kanë vdekur nga COVID-19, duke e çuar totalin në 1 mijë e 844.

Derisa nga 3 mijë e 586 mostra të testuara, 774 persona kanë rezultuar pozitivë.

Asnjë koment

Comments are closed.