Sqarim Publik nga “Bashkimi Reisen
Sqarim Publik nga “Bashkimi Reise”
Në lidhje me lajmin e publikuar më datë 06.05.2025 nga televizioni Klan Kosova, me titull dhe përmbajtje të pasaktë që lidhet me një ekskursion të organizuar për maturantët e Shkollës së Mesme “Luciano Motroni” në Prizren dhe të aranzhuar nga kompania Bashkimi Reisen, ndjehemi të detyruar të reagojmë për të sqaruar opinionin publik me fakte të sakta.
Pretendimi se kompania Bashkimi Reisen është përzgjedhur përmes një procesi të dyshimtë është tërësisht i pavërtetë. Nuk ka pasur tender në prokurim publik; përzgjedhja është bërë në bazë të ofertës më të favorshme për nxënësit.
Kompania jonë ka ofruar një çmim prej vetëm 107 euro për nxënës, çmim që përfshin:
• Akomodim për 4 netë / 5 ditë në hotel
• Ushqim të përfshirë gjatë qëndrimit
• Aktivitete të ndryshme argëtuese dhe edukative
• Shërbime të përkujdesjes shëndetësore
• Vizita në disa qytete të Shqipërisë, transporti etj.
Ky çmim është dukshëm më i ulët se ai i kompanisë tjetër konkurruese, e cila ka ofruar 114 euro për nxënës, dhe për fat të keq, duket se pas publikimit të këtij lajmi qëndrojnë motive të pastra konkurruese dhe jo interesimi për të vërtetën.
Dëshirojmë të nënvizojmë se nuk ka asnjë përfshirje buxhetore të Komunës së Prizrenit në këtë ekskursion.
Të gjitha shpenzimet janë mbuluar plotësisht nga prindërit e nxënësve.
Po ashtu, numri i pjesëmarrësve nuk është 450, siç u raportua gabimisht, por 293 nxënës.
Kompania Bashkimi Reisen, që nga viti 2001, operon me përkushtim në fushën e turizmit dhe transportit, duke organizuar me profesionalizëm ekskursione për shkolla, grupe apo organizata tjera të ndryshme në të gjitha qeverisjet që nga paslufta.
Konpania jonë ka realizuar ekskursione për të njëjtën shkollë në mandatin e kaluar, me të njëjtat shërbime dhe me të njëjtën korrektësi.
Të gjitha pretendimet për parregullsi apo ndikime janë të pabaza dhe të motivuara nga një operator tjetër i papërmbajtur ndaj konkurrencës së ndershme.
Është ironike që kompania konkurente e cila e ka sponzorizuar lajmin, jo më larg se dje e ka organizuar një ekskursion tjetër në një shkollë të Prizrenit, me çmime dukshëm më të larta, pa asnjë reagim mediatik.
Kompania jonë mbetet e përkushtuar për të ofruar shërbime të ndershme, cilësore dhe transparente, dhe nuk do të lejojmë që përpjekjet për të njollosur reputacionin tonë të ndërtojnë një narrativë të rreme ndaj punës që kemi bërë me ndershmëri dhe përgjegjësi për më shumë se dy dekada.
Bashkimi Reisen
Prizren, 07.05.2025