Studentja nga Serbia që pëlqen poezitë e Migjenit, Ali Podrimës dhe Jusuf Gërvallës (VIDEO)
Seminari i 37-të për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare edhe këtë vit i janë përgjigjur me interesim studentë nga vende të ndryshme të botës, të cilët për dy javë rresht adresë kryesore e kanë Fakultetin Filologjik në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Në mesin e tyre është edhe Natalija Nikolic e cila për të katërtin vit vjen për ta ndjekur Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Ajo sapo ka përfunduar studimet në Departamentin e Gjuhës Shqipe në Beograd ndërsa thotë se atje çdo vit regjistrohen nga 9-të deri në 15-të studentë që duan të mësojnë gjuhën shqipe. Nikolic thekson se gjatë qëndrimit në Kosovë, ajo ndihet si në shtëpi.
“Gjithnjë ndihem mirë këtu, ndihem si në shtëpi, nuk kam pasur kurrë asnjë problem, as me njerëzit e as rrugës”, tregon Nikolic për Radio Evropën e Lirë, përcjellë KultPlus.
Natalija Nikolic asnjëherë nuk kthehet pa blerë ndonjë libër në gjuhën shqipe ndërsa thotë se është e dashuruar në poezitë e autorëve të njohur shqiptarë.
“Më së shumti më pëlqen Migjeni, më pëlqen poezia e Ali Podrimës, Jusuf Gervallës”, shprehet ajo.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës.
Ky seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.
Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e gjashtë sesione. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Ndërsa në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Nga viti 2000, seminari zhvillohet sërish në Prishtinë, përderisa sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë./ KultPlus.com