24-11-2024

Suharekë: Deklarohet i pafajshëm i akuzuari se kishte kanosur zyrtarët policorë

I akuzuari për veprën penale të kanosje, Zykri Aliu, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Shpend Binaj, i akuzuari është deklaruar se nuk e ndien vetën fajtor për veprën penale që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi i rastit, Lavdim Bajraktari, e ka njoftuar të akuzuarin se brenda afatit ligjor prej 30 ditësh, ka të drejtë t’i dorëzojë gjykatës në formë të shkruar kërkesën për hedhjen e aktakuzës, si dhe për kundërshtimin e provave.

Seanca e radhës për shqyrtimin e kërkesës së të akuzuarit është caktuar më 5 prill 2019, në orën 09:00.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 13 qershor 2017, ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Zykri Aliu, me arsyetimin se i njëjti, më 18 janar 2015, rreth orës 08:30, në fshatin Duhël, Komuna e Suharekës, seriozisht i kanos me fjalët të dëmtuarit – zyrtarët policorë Ali Gollopeni, Bekim Salihu, si dhe Musli Sejfija.

Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që derisa të njëjtit ishin duke kryer punën e tyre zyrtare në pikën e kontrollit në fshatin Duhël, e ndalojnë automjetin e të tani të akuzuarit, dhe pas konstatimit se atij i kishte skaduar afati i patentë shoferit dhe derisa e informojnë që ta gjen një vozitës për ta drejtuar automjetin, i njëjti thërret në numrin zyrtar të policisë 192  dhe ju drejtohet me fjalët “a po merreni ju me këtë patrullë, apo unë do të merrem dhe do ta zgjidhi problemin me kallash”, me ç’rast të dëmtuarve u shkakton ankth, frikë dhe pasiguri.

Sipas prokurorisë, me këto veprime, Aliu, akuzohet se ka kryer veprën penale “kanosje”.

Asnjë koment

Comments are closed.