Suharekë: Komuna fillon me gjoba ndaj atyre që hedhin mbeturina
Ata që do të ndotin ambientin me hedhjen e mbeturinave në Komunën e Suharekës do të sanksionohen me gjoba.
Në njoftimin e Inspektoratit të Komunës së Suharekës thuhet se vlera e gjobës mandatore është varësisht prej veprimit ndëshkues, prej 20 deri në 100 euro.
“Personi ndaj të cilit shqiptohet ndëshkimi me gjobë mandatore është i detyruar që të bëjë pagesën në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e shqiptimit të gjobës ndërsa nëse personi paguan gjobën në afat të caktuar paguan vetëm gjysmën (50%) e shumës së gjobës mandatore të shqiptuar.Kurse në raste kur personi fizik apo juridik nuk e bën pagesën e gjobës mandatore brenda 15 ditëve, lënda procedohet te përmbaruesi për ekzekutim”, thuhet në njoftim.
Më tej sqarohet se personi që ndëshkohet me gjobë mandatore mund të parashtrojë kundërshtim me shkrim, në Autoritetin kompetent te komisioni i Kuvendit Komunal. sipas nenit 18, këtij Udhëzimi në afat prej tetë (8) ditëve nga dita e shqiptimit të ndëshkimit me gjobë mandatore. Nëse personi nuk e paguan gjobën sipas afatit të përcaktuar në nenin 11 të këtij Udhëzimi, ose nuk parashtron kundërshtim brenda afatit prej (8) ditësh, do të zbatohet përmbarimi i detyrueshëm në pajtim me dispozitat e Ligjit për procedurën përmbarimore.