Suharekë: Opozita akuzon pushtetin për kaos gjatë realizimit të projektit të sheshit
Sipas tyre, Qeveria komunale nuk ka ndërmarrë masa të duhura për evitimin e tollovive në komunikacion e as për t’i ulur dëmet e bizneseve që veprojnë në këtë zonë. Madje kanë akuzuar ekzekutivin lokal se po e tjetërson projektin për përfitimet e eksponentëve të AAK-së.
Dega e LDK-së në Suharekë përmes një njoftimi ka bërë të ditur se me iniciativën e grupit të këshilltarëve të kësaj partie është mbajtur mbledhja e jashtëzakonshme e KK-së së Suharekës, me të vetmen pikë të rendit të ditës: “Diskutim lidhur me gjendjen e krijuar me fillimin e punimeve në Sheshin Qendror të Qytetit”.
“Në këtë mbledhje Grupi i këshilltarëve të LDK-së ngriti shqetësimet lidhur me planifikimin dhe menaxhimin e këtij projekti, që janë edhe shqetësime të qytetarëve dhe bizneseve, e që janë: fillimi i punimeve në këtë kohë, kaosi i krijuar në komunikacion duke mos rregulluar rrugët alternative, dëmet që po i shkaktohen bizneseve dhe qytetarëve”, thuhet në këtë njoftim. Aty theksohet se shumica e anëtarëve të KK-së kanë vlerësuar se projekti është i rëndësishëm, porse i njëjti nuk është planifikuar mirë dhe se po reflektohet edhe menaxhim i dobët qysh prej fillimit të punimeve.
“Grupi i këshilltarëve konfirmoi edhe një herë se është pro projektit, por kritik për planifikimin jo të mirë dhe menaxhimin e keq, si dhe sugjeroi kryetarin të marrë hapa konkretë dhe të menjëhershëm të tejkalohet kjo gjendje dhe të minimizohet dëmi ndaj qytetarëve dhe bizneseve”, thuhet në njoftimin e degës së LDK-së.