Sulmi për eleminimin e Putin/ Del video me pamjet kur droni pa pilot shpërthen mbi Kremlin
Dalin pamjet e dronit pa pilot që shpërthen mbi Kremlin.
Autoritetet ruse akuzuan Ukrainën këtë të mërkurë për ndërmarjen e një sulmi me dron në Kremlin me qëllim eleminimin fizik të presidentit rus, Vladimir Putin.
Sipas Kremlinit dy dronë ukrainas u rrëzuan gjatë natës mbi ndërtesën rezidenciale ku qëndron Putin. Në lidhje me pretendimet Rusia ka publikuar dhe momenti kur dronët shkatërrohen dhe shpërthejnë mbi ndërtesën qeveriare në Moskë.
Ukraina i ka mohuar këto akuza, duke thënë se nuk ka asnjë lidhje me sulmin me dronë. Kremlini nuk paraqiti asnjë dëshmi për incidentin dhe në deklaratën e publikuar nuk u dhanë shumë detaje.
Kremlini e cilësoi sulmin e pretenduar një “akt terrorist” dhe tha se forcat ushtarake dhe të sigurisë ruse i ndaluan dronët përpara se të kryhej sulmi.
Në një deklaratë të transmetuar nga agjencitë shtetërore ruse të lajmeve, Kremlini tha se nuk pati viktima.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i tha agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, RIA Novosti, se Putini nuk ishte në Kremlin në atë kohë dhe po punonte nga rezidenca e tij në Novo-Ogaryovo.
Kremlini shtoi se Putini është i sigurt dhe se agjenda e tij mbetet e pandryshuar.
Agjencia ruse e lajmeve, Tass, shkruan se në këtë deklaratë thuhet se Kremlini e konsideron këtë ngjarje si një përpjekje të qëllimshme për ta vrarë Putinin përpara Ditës së Fitores që Rusia e feston më 9 maj./noa/