24-11-2024

Sulmohet fizikisht prokurori Atnor Skoro në Prizren

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, të mërkurën, është sulmuar fizikisht prokurori i Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Prizren, Atnor Skoro.

Sipas njoftimit nga kjo zyrë, “prokurori Atnor Skoro ka përfaqësuar sot në gjykatë një aktakuzë në cilën ka qenë i përfshirë i pandehuri B.R, dhe rreth orës 13:00, duke u kthyer në vendin e tij të punës, afër objektit të Prokurorisë Themelore në Prizren, i dyshuari B.R i ka dalur përpara prokurorit Skoro dhe e ka sulmuar atë fizikisht, duke e goditur në kokë, ku pas kryerjes së këtij akti, i dyshuari me shpejtësi është larguar nga vendi i ngjarjes, dhe i njëjti për momentin është në arrati”.

Skoro aktualisht është duke marrë tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Kjo zyrë ka reaguar ndaj këtij akti dhe ka thënë se kushdo që mendon se me akte të tilla do të tentojë në punën e prokurorëve “e kanë gabim”.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit reagon fuqishëm ndaj këtij akti të kundërligjshëm dhe qëndron pranë prokurorit Skoro dhe çdo prokurori tjetër duke i mbështetur ata në ushtrimin e detyrave të përditshme në përmbushjen e misionit të tyre kushtetues dhe ligjor. Andaj, të gjithë ata që mendojnë se me akte të tilla do të tentojnë të ndikojnë që prokurorët e shtetit të zmbrapsen nga ndjekja e kryeseve të veprave penale e kanë gabim, sepse prokurorët do të vazhdojnë punën e tyre për të cilën janë betuar dhe për të cilën i obligon Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit siguron publikun se kjo çështje është duke u trajtuar seriozisht dhe me nivelin e duhur të urgjencës të cilën e meriton kjo situatë”, thuhet në fund të reagimit./k.net

Asnjë koment

Comments are closed.