Sulmohet stenda, në Prizren, ku po nënshkruhej peticioni kundër hidrocentraleve, vullnetarët kërcënohen
Derisa kanë filluar nënshkrimet e peticionit kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Kosovë, një e tillë në Prizren është sulmuar sot.
“Ec Ma Ndryshe” ka publikuar fotografi nga vendi i ngjarjes, ku edhe shihet e shkatërruar pjesa ku po bëheshin nënshkrimet.
Sot, thuhet në njoftim, vullnetarët e peticionit kundër ndërtimit të hidrocentraleve janë sulmuar dhe kërcënuar me armë të ftohta në qytetin e Prizrenit.
“Personi i cili tashmë është identifikuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës ka demoluar shtandin e peticionit me shkop bejsbolli dhe ka kërcënuar dy vullnetarët me tone të ashpra duke fotografuar fytyrat e tyre, dhe duke vazhduar pastaj kërcënimin me anë të thikës”, thuhet më tej.
Kujtojmë se një peticion i ngjashëm ka nisur edhe në Prishtinë, me po të njëjtën moto: “Uji në gypa, milionat në xhepa”.
Shkatërrimi i vazhdueshëm i resurseve natyrore nga të gjithë ata që abuzojnë dhe shfrytëzojnë resurset e vendit për përfitime individuale, qofshin vendimmarrës apo investitorë, ka shtyrë disa OJQ që të organizojnë një aksion për mbledhjen e nënshkrimeve që të parandalohet ndërtimi i hidrocentraleve.