Superpërballja: Bashkimi mysafir i Trepçës në “rikthim” të duelit të finales
Këtë fundjavë zhvillohet xhiroja e 3-të në ProCredit Superligën e Kosovës në basketboll, me disa përballje interesante që pritet të ofrojnë spektakël dhe rivalitet të lartë në parket.
E shtunë, ora 16:00 – Bora vs Go+ Peja
Xhiroja hapet me ndeshjen mes Borës dhe Go+ Pejës. Prishtinasit do të kenë një sfidë mjaft të vështirë përballë skuadrës pejane, e cila ka nisur sezonin në mënyrë perfekte me dy fitore të mëdha, ndaj Trepçës dhe Golden Eagle Yllit në derbi. Pejanët synojnë të vazhdojnë serinë fituese, ndërsa Bora kërkon fitoren e parë të sezonit.
E shtunë, ora 19:00 – Rahoveci 029 vs Sigal Prishtina
Në “Mizair Isma”, Rahoveci pret liderin aktual, Sigal Prishtinën, që po kalon në formë të shkëlqyer si në Superligë ashtu edhe në garat evropiane të ENBL. Rahoveci ka befasuar me paraqitje shumë të mira në dy xhirot e para dhe synon t’i shkaktojë prishtinasve humbjen e parë të edicionit.
E diel, ora 17:00 – Golden Eagle Ylli vs Vëllaznimi
Pas dy humbjeve radhazi, Golden Eagle Ylli do të kërkojë me çdo kusht të kthehet te fitorja përballë Vëllaznimit, që e ka nisur sezonin me formë të dobët. Therandasit kanë nevojë urgjente për pikët e plota për të shmangur krizën që në fillim të kampionatit.
E diel, ora 19:00 – Trepça vs Bashkimi
Derbi kryesor i javës zhvillohet në “Minatori”, ku përballen kampioni në fuqi Trepça dhe Bashkimi. Të dyja skuadrat vijnë nga humbje në FIBA Europe Cup, por në Superligë Bashkimi ka dy fitore nga dy ndeshje, ndërsa Trepça ka regjistruar një fitore dhe një humbje. Një duel klasik që gjithmonë sjell emocione të veçanta për adhuruesit e basketbollit vendor
