Supertalenti, Yamal: Do ta fitoj Kupën e Botës dhe Ligën e Kampionëve
Në një intervistë për radion spanjolle ‘Cadena Ser’, 17-vjeçari ka folur për qëllimet, pasionin për lojën dhe dëshirën për të fituar çmimin më prestigjioz individual në futboll – Topin e Artë.
“Unë hyj në fushë, luaj dhe argëtohem. Nëse duhet të ndodhë, do të ndodhë…”, u shpreh Yamal, duke theksuar se ky çmim nuk është obsesion për të, por më shumë si një shpërblim natyral për paraqitjet që jep me fanellën e Barcelonës dhe përfaqësueses.
Yamal ishte ndër lojtarët më të dalluar në sezonin e kaluar me skuadrën katalanase, duke ndihmuar ekipin të fitojë La Ligën dhe Kupën e Mbretit.
Kur u pyet për prioritetin mes Kupës së Botës dhe Ligës së Kampionëve, ai dha një përgjigje të vendosur dhe me shumë vetëbesim:

“Nuk mund të zgjedh mes tyre, sepse do të marr pjesë në të dyja… dhe do t’i fitoj të dyjat”, tha pa hezitim futbollisti i ri.
Në intervistë, Yamal foli edhe për rinovimin e kontratës me Barcelonën, duke thënë se e kishte një synim të qartë – që të mbyllë çdo dilemë sa më shpejt për të qenë i fokusuar vetëm te loja.
“Doja ta zgjidhja çështjen sa më shpejt që të mundesha, për t’u përqendruar te loja. Sapo erdhi mundësia, e nënshkrova menjëherë”, përfundoi ai.