25-11-2024

Supremja e kthen në rigjykim rastin e inspektorit të ndërtimit në Prizren

Gjykata Supreme ka vendosur të kthejë në rigjykim rastin e inspektorit të ndërtimit në Prizren, Nexhmedin Musliu, të cilin Gjykata e Apelit, e ka dënuar me 18 muaj burgim efektiv, për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i cili rezulton të jetë marrë më 13 tetor 2022, thuhet se çështja kthehet në rigjykim me miratimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtëses së të dënuarit Nexhmedin Musliu, avokates Valbonë Morina.

Sipas Supremes, çështja kthehet në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljes së ligjit penal, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Me miratimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë te mbrojtëses së të dënuarit Nexhmedin Musliu, anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda PKR.nr.3/2021 të datës 23.07.2021 dhe aktgiykimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës PAKR.nr.364/21 të dates 08.04.2022 dhe çështja i kthehet Gjykatës së shkallës së parë në rigiykim”, thuhet në vendimin e Supremes.

Gjykata Themelore në Prizren më 23 korrik 2021, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj Musliut, ku të njëjtin e kishte dënuar me 10 muaj burgim efektiv.
Ndërsa, Gjykata e Apelit e kishte ashpërsuar dënimin ndaj Musliut duke e dënuar me 18 muaj burgim efektiv.

Në vendimin e Supremes, thuhet se pretendimet e mbrojtjes janë të bazuara dhe se aktgjykimet kundër të cilëve është parashtruar kërkesa, përmbajnë shkelje.
“Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, pretendimet e mbrojtësit të të dënuarit, janë të bazuara, ngase aktgjykimet kundër të cilave është parashtruar kërkesa përmbajnë shkelje për të cilat pretendohet”, thuhet në vendim.

Në arsyetimin e vendimit të Supremes, thuhet se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedures penale sipas dispozitës së nenit 384, par.1, nënpar.1.12 të KPPK-së, përkatësisht nenit 370, par.7 të KPPK-së.
Tutje, në vendim thuhet se në aktgjykimet e kundërshtuara nuk janë dhënë arsye të mjaftueshme për veprimet inkriminuese të të dënuarit dhe se kompetencat e tij nuk janë përshkruar sipas dispozitave ligjore.

“Sipas pikëpamjes së Gjykatës Supreme të Kosovës në rastin konkret nuk janë kontestuese faktet se i dënuari kishte ushtruar detyrën e inspektorit të ndërtimit, mirëpo në aktgjykimet e kundërshtuara nuk janë dhënë arsye përkitazi me veprimet inkriminuese të të dënuarit, dhe për më tepër, detyrat dhe kompetencat e tij nuk janë përshkruar sipas dispozitave ligjore apo akteve nënligjore që rregullojnë këtë fushë”, thuhet në vendim.
Po ashtu, në vendim thuhet se gjykata e shkallës së parë është përfshirë në shkelje esenciale, por që të njëjtat shkelje nuk ishin eliminuar nga gjykata e shkallës së dytë, andaj për këtë çështja kthehet në shqyrtim të sërishëm.

“Gjykata Supreme e Kosovës, vlerëson se aktgjykimi i shkallës së parë është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 nënpar.12 lidhur me nenin 370 par.7 të KPPK-së, të cilat shkelje nuk janë eliminuar me aktgjykimin e gjykatës së shkallës së dytë. Nga kjo arsye, kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë ishte e bazuar, që rezultoi me marrjen e vendimit për anulimin e aktgjykimeve të kundërshtuara dhe shqyrtim të serishëm të kësaj çështje”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Supremes.

Ndryshe, me aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 19 prill 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu, akuzohet se në periudhën kohore 2016-2017, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk ndërmerr konkluzion për rrënimin e katit të 8 të kompleksit ndërtimor “Kastrati Comerc”, me pronar Nazmi Kastrati, i cili kishte leje ndërtimi për P+B+7 dhe ka ndërtuar një kat pa leje, në lagjen “Jeta e Re”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu ka mundësuar ndërtimin e tre kateve pa leje të firmës “Coneng”, me pronar Skender Vata, e që kishte leje për dy kate P+B+2.
Ai është i përfshirë edhe në disa raste të tjera në procese gjyqësore që kanë të bëjë me veprën e njëjtë penale. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.