Supremja refuzon kërkesën e LVV-së për zgjedhjet në Prizren
Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik “Vetëvendosje”, të paraqitur kundër Vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me pretendimet për parregullsi në zgjedhjet lokale për kryetar të Komunës së Prizrenit.
Supremja në njoftimin e bërë për media thotë se ankesën e LVV-së e ka konsideruar si të pabazuar.
“Ankesa e këtij subjekti është dorëzuar me kohë, në zyrat e postës publike me datë 24.11.2021, ndërsa në Gjykatën Supreme të Kosovës, përmes postës, është pranuar më 02.12.2021, në ora 9.30 minuta”, thuhet në njoftim.
Më tej, Gjykata Supreme e Kosovës duke iu referuar dispozitës së nenit 127.2 të Ligjit mbi Procedurën Kontestimore, ku parashihet se “Në qoftë se parashtresa është dërguar me anë të postës me letër rekomande apo në rrugë telegrafike, dita e dorëzimit në postë konsiderohet si ditë e dorëzimit në gjykatën të cilës i është drejtuar..” e konsideroi si të afatshme ankesën dhe pasi vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar, në kuptim të pretendimeve ankimore, të përgjigjes në ankesë, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjeti se, është e pabazuar. /Telegrafi