Supremja vërteton dënimin e Gjykatës së Apelit, 15 vjet burg për Stanishiqin, i dënuar për krime lufte
Kolegji i Gjykatës Supreme e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës së Apelit, me të cilin Goran Stanishiqit i është ulur dënimi nga 20 në 15 vjet burgim.
Kështu bëhet e ditur në një njoftim të Gjykatës Supreme, pasi në tetor të 2021 Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Stanishiqin me 20 vjet burgim për pjesëmarrje në masakrën e Sllovisë së Lipjanit në prill 1999.
“Kolegji i Gjykatës Supreme i ka refuzuar si të pabazuara, kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë, të mbrojtësit të dënuarit për krime lufte G.S., dhe të Prokurorit të Shtetit, të ushtruara kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.
Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen penale kundër të dënuarit G.S. nga fshati S., komuna e L., me vendbanim në M., Republika e S., për shkak të veprës penale krimet e luftës kundër popullatës civile, nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë…
Duke vendosur sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, ushtruar nga mbrojtësi i të dënuarit dhe kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë ushtruar nga Prokurori i Shtetit, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special APS.nr.28/2022 datë 27.09.2022, në seancën e kolegjit të mbajtur më 16 shkurt 2023, i refuzoi si të pabazuara këto kërkesa”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, sipas aktakuzës, gjatë luftës në Kosovë, respektivisht me datën 15 e 16 prill 1999, gjatë një sulmi të gjerë e sistematik të forcave ushtarake, paramilitare, rezervë policore e policore serbe, kundër popullatës civile shqiptare në fshatrat Sllovi e Tërbovc të Komunës së Lipjanit, i akuzuari Goran Stanishiq polic rezervë në Stacionin Policor në Lipjan – Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të njësive ushtarake, paramilitare, rezervë policore e policore serbe, që kanë vepruar në këto fshatra, në kundërshtim me Ligjin Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale) dhe të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare, mori pjesë në dëbimin, vrasjen e ushtrimin e dhunës ndaj popullatës civile shqiptare.