Taksitë ilegale e mbipopullojnë Prizrenin
Kallxo.com ka pranuar ankesa të shumta nga qytetarët për numrin e madh të taksive të licencuara në këtë komunë. Prizreni rezulton të ketë numër më të madh të taksive të licencuara në krahasim me numrin e banorëve të qytetit dhe rrethinës.
Haxhi Krasniqi, taksist i cili e ushtron këtë profesion në Prizren tash e katër vite, thotë se taksitë ilegale duhet të largohen prej vendeve ku punojnë taksitë e licencuara dhe se prezenca e inspeksionit do të kishte sjellë më shumë dobi.
“Dalin herë- herë ç’është e vërteta por prezenca e tyre ma e përhershme do të kishte sjellë dobi më të mëdha. Ashtu edhe numri është pak i madh të licencuarve dhe ata që punojnë ilegalisht janë pengesë sepse ata punojnë më lirë, me vetura më të dobëta dhe neve na marrin punën”, tha Krasniqi për Kallxo.com.
Taksistët ilegalë e shqetësojnë edhe Besnik Berishën. Berisha punon tash e shumë vite në komunën e Prizrenit dhe përveç taksistëve ilegal brenda komunës ai i sheh problem edhe ata që vinë nga Shqipëria dhe punojnë në Prizren pa leje nga askush dhe duke mos i paguar taksat.
“Ne kemi një problem me disa taksistë që punojnë ilegal, në të zezë dhe gjithashtu kemi problem më taksitë që vijnë nga Shqipëria që punojnë në Prizren na marrin udhëtarët që shkojnë për rrugë të gjata sepse i marrin më një çmim të lirë. Ne i marrim 80 euro ata shkojnë me çmim 50 euro. Nuk besoj se operojnë brenda qytetit të Prizrenit por besoj se shkojnë brenda në Kosovë, në Gjakovë, Prishtinë e na i marrin linjat që i kemi na”, tha Berisha.
Krenare Koqi, shefe e kabinetit të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, tha për Kallxo.com se numri i taksive të licencuara është zvogëluar për shkak se numri i banorëve në Prizren është i vogël në krahasim me taksitë që kanë pasur licencë.
“Për kokë banori në Prizren neve na takojnë 300 taksi sipas rregullores për dhënien e shërbimeve. Vitin e kaluar ka qenë numri 600 dhe kemi arrit me e reduktu këtë numër. Tash me lejet e reja duhet me e ripërsëritë lejen e operimit dhe kemi arrit me i reduktu diku 200 taksi deri më tash. Faktikisht nuk ia kemi dhanë lejen edhe njëherë, momentalisht janë vetëm operatorët të cilët janë firma që punojnë në Komunë dhe janë 200 taksi të regjistruara” tha Koqi.
Edhe pse taksistët që e ushtrojnë këtë punë në qytetin e Prizrenit ankohen për ardhjen e taksistëve nga Shqipëria, Koqi tha se Komuna e Prizrenit nuk ka mekanizma për rregullimin e kësaj çështjeje.
“Për taksitë ilegale të tjera ka shumë aksione javore ku gjobiten taksistët ilegalë mirëpo komuna nuk ka mekanizëm parandalues sidomos taksistëve të Shqipërisë që vijnë në Prizren sepse kjo i takon Policisë përkatësisht MPB. Në momentin që del Inspektorati Komunal edhe e evidenton që nuk ka leje, i konfiskohet makina”, deklaroi Koqi.
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Levent Kasemi tha se kjo drejtori vazhdimisht po i inspekton dhe gjobitë taksistët ilegalë edhe pse numri i taksive të licencuara për këtë vit është më i madh se sa parasheh rregullorja e vitit 2006.
“Numri i taksive të lejuar sipas rregullores së vitit 2006 është 200 taksi dhe numri i taksive të përgjithshëm 226 individual dhe 6 kompani operuese Radio Taxi që janë vazhduar për vitin 2018. Ka taksi ilegalë në Komunën e Prizrenit dhe vazhdimisht jemi duke inspektuar dhe kontrolluar në mënyrë që të eliminohen parregullsitë e taksive ilegal.
“Ne vazhdimisht u japim vërejtje për mos ushtrimin e veprimtarisë auto taxi pa leje përkatëse dhe nëse vazhdojnë të ushtrojnë pa leje përkatëse ne i procedojmë për në gjykatë. Për në gjykatë janë proceduar 8 gjoba ne vitin 2018”, tha Kasemi për Kallxo.com.
Ndërsa Afrim Syla, komandant i trafikut për rajonin e Prizrenit, tha se janë duke mbikëqyrë rregullisht operimin e taksive në Prizren dhe po i ndëshkojnë ata që nuk operojnë në bazë të ligjit.
“Kemi një numër të gjobave dhe të taksistëve ilegalë të dërguar në gjykatë nga ana e inspektorëve komunal, ndërsa për parregullsitë që janë gjetë te kombi-busët që kanë operuar ilegalisht u janë shqiptuar dënime nga ana e zyrtarëve të trafikut rrugor. Ne e dimë edhe për taksistët ilegalë nga Shqipëria dhe janë të gjithë të barabartë dhe u kemi shqiptuar edhe atyre gjoba dhe janë ndëshkuar nga inspektorët komunalë, si shifra i kemi 15 shqiptime nga Inspektoratit komunalë dhe diku 16 gjoba I kanë shqiptuar për kundërvajtje policët rajonalë”, tha Syla