Taulant Xhaka prej lojtarëve më të suksesshëm të Baselit
Baseli në fundjavën e kaluar e fitoi titullin e 21-të në histori, pas sezonit shumë të suksesshëm.
Dhe pas suksesit të skuadrës së madhe zvicerane, në histori si njëri prej lojtarëve më të trofeshëm në kampionatin helvetik te Baseli, ka hyrë edhe mesfushori Taulant Xhaka.
Për Xhakën ishte titulli i shtatë i fituar me Baselin.
“Vikendin e kaluar, mesfushori e festoi titullin e shtatë me ‘kuqeblutë’. Megjithatë, ai nuk do të mund të fitojë tjetër titull, pasi do të pensionohet nga futbolli në fund të sezonit”, ka shkruar “Blick” të dielën.
Me nga shtatë kampionate të fituara janë edhe Scott Chipperfield dhe Benjamin Huggel.
Marco Streller i ka nëntë tituj me Baselin dhe prin në këtë statistikë, ndërsa i dyti është Philipp Degen, me tetë tituj të fituar në Superligën e Zvicrës.