Të infektuarat nga Rahoveci janë infermiere nga hemodializa në Prizren
Dy raste që sonte rezultuan pozitiv me Covid-19 nga Rahoveci, janë infermiere të repartit të hemodializës, gjegjësisht pjesë e stafit të spitalit rajonal të Prizrenit.
Këtë lajm e konfirmoi i pari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili ka thënë se janë marrë të gjitha masat për ndalimin e përhapjes së mëtejme të këtij virusi.
Postimi i plotë i Latifit në Facebook:
Të dashur qytetarë, bashkëvendas të komunës sonë,
Sapo u informova nga IKSHPK, se fatkeqësisht në komunën tonë kemi dy raste me COVID-19.
Pacientet e infektuara, janë që të dyja infermiere në Spitalin Regjional të Prizrenit, në repartin e hemodializës, të njëjtat këto, burimin e infeksionit e kanë nga ky repart ku aktualisht kanë punuar, ju informoj se gjendja e tyre është stabile, kështu që nuk ka vend për panik, por kujdes të shtuar.
Të dashur qytetarë të komunës së Rahovecit, kërkoj nga ju që të mos lëvizni nga shtëpitë e juaja deri sa të marrim vendime si Shtab i Posaçëm Emergjent për hapat e mëtutjeshëm.
Të infektuarave, ju uroj shërim të shpejtë!
Për çdo veprim do të informoheni me kohë!
Ju lutem të qëndroni në shtëpi!
Bashkë do t’ia dalim!