Të plagosurit në Prizren ndalohen për 48 orë, sekuestrohen armë pas bastisjeve
Një incident me armë zjarri ndodhi mbrëmë pas mesnate në parkingun e një pompe derivatesh te Tranziti i Ri në Prizren, ku mbetën të plagosur disa persona. Një grup prej shtatë të rinjve po dyshohen se janë të përfshirë, dy prej të cilëve kanë pësuar plagë, raporton Gazeta Sinjali.
Dy të dyshuarit që u plagosën janë Altin Hoxha dhe Arlind Hoxha, familjarë mes vete, të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal në Prizren, ku po ruhen nga Policia.
Sinjali ka mësuar se ndaj tyre tashmë është lëshuar urdhri për ndalim policor, ndërkohë që të dyshuarit e tjerë që janë arratisur po kërkohen.
Në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur 15 gëzhoja, që janë sekuestruar, bashkë me një veturë që i përket njërit prej të dyshuarve. Lidhur me rastin, janë kryer edhe bastisje në shtëpitë e të dyshuarve, ku janë sekuestruar edhe tri armë zjarri dhe një veturë tjetër.
Lajmin sot e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prizren.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.