Tejkalim i rrezikshëm në Prizren, gjobitet mërgimtari nga Zvcira
Policia e Kosovës ka ndëshkuar një shofer nga rrethina e Malishevës, i cili u kap duke bërë një tejkalim të rrezikshëm në vijë të plotë në rrugën magjistrale Prizren–Gjakovë, në fshatin Landovicë.

Rasti u raportua pas publikimit të një videoje më 10 gusht 2025 në rrjetet sociale, ku shihej një veturë Mercedes e bardhë duke rrezikuar trafikun. Pas identifikimit nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Prizren, në bashkëpunim me Stacionin Policor të Malishevës, ndaj shoferit u shqiptua gjobë prej 200 euro dhe masë ndaluese e vozitjes për tre muaj për kundërvajtjen “tejkalim në zonën e ndaluar”.
Policia bëri të ditur se, përmes mekanizmit ILECU, lidhur me këtë masë do të njoftohet edhe shteti i Zvicrës.

Institucioni apelon te qytetarët që të respektojnë rregullat e trafikut për të mbrojtur jetën e tyre dhe të tjerëve, duke theksuar se siguria rrugore është përgjegjësi e përbashkët.
