Telekomit iu dhanë 20 milionë euro hua nga Qeveria për infrastrukturë, blejnë telefona të “mençur” e shpërblejnë kompani të huaja
Qeveria e Kosovës në fund të vitit të kaluar në një mbledhje kishte marrë vendim për t’ia dhënë hua 20 milionë euro Telekomit të Kosovës. Këto mjete ishin ndarë me qëllim të riparimit të infrastrukturës në këtë ndërmarrje.
Ky propozim në mbledhje të Qeverisë ishte bërë para kabinetit qeveritar nga ministri i Financave, Hekuran Murati.
Murati kishte thënë se “Kërkesa është që të aprovohet një hua dhënie deri në 5 milionë euro, ndërsa pjesa e mbetur 15 milionë të trajtohet me buxhetin e vitit të ardhshëm, si ministri do të sigurohemi që mjetet të shfrytëzohen ashtu siç janë të dedikuara”.
Por në bazë të procedurave tenderuese Telekomi i Kosovës , i udhëhequr nga Burbuqe Hana, ka në proces disa kontrata të cilat janë në konzorcium me kompani të huaja.
Telekomi i Kosovës, për realizimin e platformës OTT ka shpërblyer me kontratë konzorciumin “UniqCast Kroacia & Cacttus Sh.a Kosova” me 1.127,540.74 euro.
Po ashtu për tenderin “Furnizimi i SW licencave nga Nokia për 2G dhe 4G”, Telekomi e ka shpërblyer me kontratë të negociuar kompaninë “Nokia Solutions and Networks Oy”, në vlerën rreth 70 mijë euro.
Me 35 mijë euro ka shpërblyer kompaninë ndërkombëtare “Baker McKenzie Diwok Herman Petsche Rechtanwalte LLP & Co KG” për “Shërbime ligjore shtesë pranë Qendrës Zvicerane të Arbitrazhit”.
Po ashtu një tender tjetër që bie në sy është edhe blerja e dy “Iphone 13 Pro Max”, telefoni të mençur, duke e shpërblyer një kompani vendore me çmim 2 mijë e 171 euro.
Ndërsa për tenderin e fundit Fadil Lepaja zyrtarë për informim është konfirmuar përfundimi i procedurave, ndërsa kontrata tjera janë në proces.
“Furnizim me Smart Phone, është nënshkruar kontrata dhe është përmbyllë sipas informatave. Furnizimi i SË licencave nga Nokia për 2G dhe 4G, jemi në proces të nënshkrimit të kontratës, dmth se kontrata akoma nuk është nënshkruar nga dy palët. Furnizimi dhe implementimi i platformës se OTT, jemi në proces të nënshkrimit të kontratës, dmth se kontrata akoma nuk është nënshkruar nga dy palët”, ka thënë për Indeksonline Lepaja.