09-03-2025

Tentim vrasja te ‘Rent a Car Galaktika’ në Prizren: Dënohen dy të akuzuarit

Gëzim Kastrati dhe Argëtim Kasolli janë shpallur fajtor dhe janë dënuar njëri me 6 vite e gjashtë muaj burgim, ndërsa tjetri me 6 vite.

Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësi i gjykatës, Marcel Lekaj.

“Të akuzuarin GËZIM KASTRATI: Për veprat penale: të vrasjes në tentativë në bashkëkryerje, dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, i shqiptohet DËNUM UNIK me burgim në kohëzgjatje prej 6(gjashtë) vite e 6 (gjashtë) muajve, në të cilin dënim me burgim do ti llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 13.02.2024 gjer në plotfuqishmërinë e aktgjykimit. 

Të akuzuarin ARGËTIM KASOLLI: Për veprën penale vrasja në tentativë në bashkëkryerje, me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) viteve në të cilin dënim me burgim do ti llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 13.02.2024, gjer në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.” – thuhet në përgjigjen e Lekajt.

Kastrati dhe Kasolli akuzohen se “më dt. 12.02.2024, rreth orës 23:20 min, në Prizren, në afërsi të kompanisë Renta Car “………..” pas një mosmarrëveshje paraprake rreth marrjes me qira të automjetit dhe pagesës së saj, me dashje tentojnë të privojnë nga jeta të dëmtuarit E.B:, dhe E.K., në atë mënyrë që shkojnë në kompaninë Renta Car “……….” për tu sqaruar lidhur me vërejtët që kishin të dëmtuarit rreth shfrytëzimit të automjetit të dëmtuarit E.B., të dhënë me qira, dhe pas një fjalosje të shkurtër të pandehurit i  nxjerrin thikat, ashtu që i akuzuari Argëtim me thikë e godet të dëmtuarin E.B., në regjionin e fytyrës.

I akuzuari “Gëzim Kastrati e godet në regjionin e kraharorit, parakrahut dhe krahut të majtë me prerje të muskujve bicepsbrachi dhe brachioradioalis si dhe me dëmtim të plotë të nervit radialis të majtë, po ashtu i akuzuari Gëzim Kastrati me thikë e godet edhe të dëmtuarin E.K., dhe i shkakton plagë prerëse në regjionin e bërrylit të djathtë, prerje komplete traumatikë e arteries dhe venës braciale të djathtë, venës intermediale kubiale të djathtë dhe nervit median brachial të djathtë, lëndime këto të shkaktuara me veprimin mekanik të mjetit të fortë të mprehtë dhe me maje që bëjnë pjesë në dëmtime të rënda trupore, më afër të përshkuara si në akt ekspertimin mjeko ligjor të Dr. N.U., të dt. 11.03.2024.”

Të dy, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të vrasjes në tentativë.

Ndërsa i akuzuari Gëzim Kastrati “më datë, kohë dhe vend të njëjtë si më lartë, posedon në vend publik duke i përdorur për qëllime të shkaktimit të lëndimeve trupore, briskun metalik me dorëz ngjyrë të gjelbër ushtarake me mbishkrim “Nage” me gjatësi tehu 8.5 cm, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi posedimin e armëve të ftohta”, duke kryer kështu veprën penale “mbajtja në pronësi, kontrolle ose posedim të pa autorizuar të armëve”.

Të akuzuarve Gëzim Kastrati dhe Argëtim Kasolli iu vazhdohet masa e paraburgimit gjer në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.