Tentimvetëvrasje me çarçaf dhe zjarrvënie në dhomat e qelisë së Qendrës së Paraburgimit në Prizren
Mbrëmjen e së enjtes një i paraburgosur në qendrën e Paraburgimit në Prizren ka tentuar vetëvrasjen.
Në përpjekje për t’i dhënë fund jetës, M.B ia kishte vënë flakën dhomës duke marrë lëndime trupore.
I njëjti është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Arsyeja e këtij veprimi sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës ka qenë pakënaqësia me procesin gjyqësor ndaj tij.
“Rasti i mbrëmshëm…ka ndodhë njëri ka tentu me djeg dyshekun dhe dhomën, ka intervenu stafi, është në spital gjendja stabile”, ka thënë Rasim Selmani, zëvendësdrejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës, për T7.
E të pyetur për gjendjen e të burgosurit, Spitali në Prizren në një përgjigje më shkrim për Televizionin 7, ka thënë se ai po trajtohet për një problem tjetër.
E nga Spitali i Sitalin e Prizrenit është thënë se pacienti është duke u trajtuar në dhomë të veçantë.
“Në spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren është një pacient me inicialet M.B. Ai është pranuar në repartin e Internës më datën 07.03.2019, në ora 19.35 për shkak të dhembjeve në gjoks – vesit të lindur të zemrës. Pacienti është duke u trajtuar në dhomën e veçantë për të burgosur, nën përcjelljen e shërbimit korrektues. Gjendja e pacientit është stabile dhe nuk ka pasur djegie”.
T7 mëson se, M.B. është i dyshuar për detyrim të kryerjes së marrëdhënies seksuale me një turiste angleze në qytetin e Prizrenit. Për këtë arsye, I njëjti po qëndron në paraburgim.
Por, tentim vetëvrasja e tij nuk është e vetmja që së fundmi ka ndodhur në këtë qendër.
Para dy javësh, edhe i paraburgosuri tjetër, Hysri Peqani i njohur si Burdushi, kishte tentuar të vetëvritet, në një mënyrë tjetër.
“Njëri ka tentu me u vetëvra me çarçaf, stafi ka ndërhy….”, ka thënë Selmani.
Arsyen e këtij veprimi e tregon avokati i Peqanit, Asdren Hoxha.
“Arsyet pse ai ka ndërmarrë këtë veprim. Që 4 muaj është në paraburgim”, tha avokati Hoxha.
Hoxha thotë se ka takuar klientin e tij dhe e ka udhëzuar të mos ndërmarrë veprime të tilla, sepse kjo mund të konsiderohet si presion në procesin gjyqësor ndaj tij.
Në anën tjetër, Selmani thotë se ka sfida në punën me këtë kategori.
“Puna në sistemin korrektues nuk është e lehtë, por mbajmë trajnime, bashkëpunojmë me institucione tjera që këto raste t’i trajtojmë si duhet”, ka thënë zëvendësdrejtori i SHKK’së.
Ndërkohë në Shërbimin Korrektues të Kosovës thonë se gjendja e të dy të burgosurve tani është stabile.
Televizioni 7 merr vesh se dy të paraburgosurit, kishin paralajmëruar se do të kryenin vetëvrasje por kjo nuk është marrë seriozisht nga autoritet e burgut./T7/GazetaExpress/