Themelimi i “Muzeve të Prizrenit” pritet të ndikojë edhe në të mirën e turizmit
Kuvendi Komunal (KK) i Prizrenit, ka miratuar aktin e themelimit të “Muzeve të Prizrenit”, organ i cili do t’i strukturojë me përmbajtje muzetë ekzistuese, të cilat janë në përgjegjësinë e Komunës, si dhe do të themelojë disa muze të reja, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Një vendim i tillë, që u mor në seancën e djeshme të KK-së, pritet të ndikojë edhe në dobi të zhvillimit të kulturës dhe turizmit të Prizrenit.
Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ka shkrua se Prizreni njihet si “qytet muze i hapur”, duke kaluar nga rrugët e tij përplot monumente, ndërsa vizitorët mund të mësojnë për ndikimet e ndryshme kulturore përgjatë historisë.
“Fatkeqësisht nga 4 muze të proklamuara në qytet, vetëm ai i Lidhjes është duke funksionuar. Të tjerat, shumicën e kohës janë të mbyllura për vizitorë apo nuk janë të strukturuara për të plotësuar kriteret elementare për të funksionuar si Muze”, ka shkruar ai.
Prizreni, krahas epitetit të kryeqytetit kulturor të Kosovës, sipas perceptimit të përgjithshëm të publikut kosovar është qytet me vlera të lashta kulturore dhe historike dhe mban edhe epitetin e “Qytetit muze”.
Pos Muzeut të Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit janë edhe Muzeu arkeologjik – Hamami i Shemsidin beut dhe Sahatkulla, Muzeut etnologjik – Shtëpia e Shehzades, si dhe dy muze tjera Muzeu i elektroekonomisë – Hidroelektrana “Prizrenasja” dhe Muzeu i Nënë Terezës, të cilat nuk janë funksion dhe të hapura për publik.
Në Prizren thuhet se ka plot rrëfime për të treguar, ndërsa sipas Haskukës për qytetarët dhe vizitorët, muzetë janë adresa më e saktë për gjetjen e tyre.
Kryesuesi i KK-së, Artan Abrashi shprehet se bashkë me “Muzetë e Prizrenit” është edhe Statuti për rregullimin e përbërjes, funksionimin dhe financimin e muzeve në këtë komunë.
Sipas zyrtarëve ky vendim do të ketë ndikim direkt në mirëqenien e qytetarëve duke rritur numrin e vizitorëve në Prizren. /GazetaePrizrenit.net/