Tmerr në Haiti: Turma dogji për vdekje anëtarët e një bande kriminale
Një grup prej 13 anëtarësh të dyshuar të bandës u rrahën dhe u dogjën për vdekje nga banorë të zemëruar në kryeqytetin e Haitit, ndërsa policia kontrollonte automjetin e tyre.
Të dyshuarit dyshohet se u rrahën me goma me benzinë përpara se t’u vihej zjarri në Port-au-Prince të hënën. Policia tha se u ka konfiskuar armët pak para incidentit. Haiti është në kaos pas vdekjes së Presidentit Jovenel Moïse në korrik 2021.
Kombet e Bashkuara thanë në një raport të publikuar të hënën se kaosi në kryeqytet ka arritur nivele të ngjashme me vendet në luftë. Bandat e armatosura vazhdojnë të konkurrojnë për të zgjeruar kontrollin e tyre territorial dhe përleshjet me policinë dhe bandat rivale janë “bërë më të dhunshme dhe më të shpeshta” ,duke shkaktuar shumë viktima.
Dhuna midis bandave rivale çoi në vdekjen e afro 70 personave, duke përfshirë 18 gra dhe dy fëmijë, vetëm midis 14 dhe 19 prillit, sipas OKB-së. Shumë shkolla dhe qendra shëndetësore janë detyruar të mbyllen dhe dhuna ka ndikuar gjithashtu në aksesin në mallra dhe shërbime.
Pas vrasjes së Moïse, kombi i Karaibeve udhëhiqet nga kryeministri Ariel Henry, i cili nuk ka arritur të frenojë bandat që tani kontrollojnë rreth 60 për qind të kryeqytetit.
Henry dhe zyrtarët e OKB-së kanë kërkuar vazhdimisht vendosjen e një force ndërkombëtare për të ndihmuar policinë në luftën e saj kundër bandave kriminale.
Deri më tani, asnjë vend nuk është ofruar për të udhëhequr një forcë të tillë. Shtetet e Bashkuara po përpiqen të bëjnë Kanadanë të marrë këtë rol, por kryeministri Justin Trudeau deri tani nuk ka pranuar./abcnews.al