24-11-2024

Totaj: Haskuka viziton shkollat ku pa konkurs ka emëruar të preferuar politik e puthadorë

Kryetari i PDK-së në Prizren, që përbën forcën më të madhe opozitare në Prizren, Shaqir Totaj, derisa ka uruar për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë, ka hedhur kritika ndaj kreut të komunës, Mytaher Haskuka për polizitim të skajshëm të arsimit.

Nëpërmes një postimi në “facebook”, Totaj ka thënë se madje në ditën e parë të rifillimit të shkollës, Haskuka ka përzgjedhur t’i vizitojë dy shkolla, “Lekë Dukagjinin” dhe gjimnazin “Remzi Ademaj,  në të cilat ushtrues detyre të drejtorit, janë njerëzit e preferuar politik e puthadorë, të emëruar pa konkurse.

Postimi i plotë i Totajt:

“Me rastin e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë shkollor, të gjithë nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve përzemërsisht urime fillimin e një procesi shumë të rëndësishëm, me synimin për suksese sa më të mira të fëmijëve dhe shkollave tona.

Me dëshirën që kjo situatë pandemike të kalojë sa më parë, tashmë jemi të vetëdijshëm që kërkohet kujdes shtesë për ruajtjen e shëndetit e njëri-tjetrit, duke respektuar rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

Në kontekstin e respektimit të rregullave e ligjeve të parapara, nuk kam si ta tejkaloj paralajmërimin e kryetarit të komunës, Mytaher Haskuka, që sot paska përzgjedhur t’i vizitojë shkollat: “Lekë Dukagjini” dhe gjimnazin “Remzi Ademaj”, ku prej 5 muajsh, vazhdojnë të jenë ushtrues detyre të drejtorit, njerëzit e preferuar politik e puthadorë, të emëruar pa konkurse, tamam si në kohën e partisë komuniste.

A thua cila do të jetë fytyra e kryetarit të komunës, që duhet të jetë shembull për respektimin e ligjit para mësimdhënësve dhe nxënësve? Cili do të jetë mesazhi i tij, kur nuk respektohet as institucioni i konkursit dhe në vend të zgjedhjes së drejtuesve të shkollës përmes konkurrencës, që e parasheh edhe ligji, ai ua mohon këtë të drejtë, duke dëshmuar politizimin e skajshëm të arsimit në Prizren?!

Me shpresën se me mbylljen e këtij viti shkollor të mbyllen edhe parregullsitë e shumta, uroj që kjo periodë t’u shkojë sa më mbarë! Po ashtu, shpreh optimizëm për angazhimin maksimal të nxënësve, mësuesve dhe prindërve, drejt arritjes së rezultateve sa më të larta!

Paçim një vit shkollor sa më të suksesshëm!”

Asnjë koment

Comments are closed.