Totaj: Kemi trend të rritjes në Prizren, qytetarët janë të dëshpëruar me qeverisjen e Haskukës
Kandidati i PDK’së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj thotë se përkrahja e qytetarëve për ta po rritet çdo ditë. Thotë se prizrenasit janë të zhgënjyer me qeverisjen e Mytaher Haskukës së VV’së.
“Trendi i pushtetit aktual në Prizren ka trend të rënies”, thotë Totaj.
Ai shprehet optimist për fitore në këtë qytet.
“Unë shumë besoj se ne deri në fund të fushatës do të kemi ngritje të vazhdueshme dhe në fund të fushatës do të kemi rezultat shumë të mirë dhe këtë e bazoj përveç në sondazhe, e bazoj edhe në feedback ose informacione kthyese që ne i marrim çdo ditë nga qytetarët nëpër lokacione të ndryshme, si në qytet ashtu edhe në periferi”, thotë Totaj në emisionin “DPT te Fidani” në T7.
“Më duhet të them se ekziston një dëshpërim me mënyrën e qeverisjes deri më tani”, thotë Totaj.
“Ekziston një numër i madh i ish-votuesve të pushtetit aktual të cilët thonë: “në s’kemi votuar për ideologji, ne kemi votuar për ndryshim. Ndryshimi nuk ka ardhur, jemi të dëshpëruar sepse ne vetëm kemi shkel të gjitha parimet për të cilat kemi premtuar”,shpjegon Totaj.
“Ne jemi në një trend të rritjes”, theksoi kandidati i për PDK’në.
Ai ka tentuar të përmend siç tha keqpërdorimet e qeverisjes lokale në Prizren.
“I kemi pasur tetë drejtorë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. I kemi pasur dy zyrtarë të zyrës ligjore të arrestuar. Kemi pasur biznesmenë dhe zyrtarë të arrestuar për shkak të një tenderi problematik ku dokumentacioni është futur pas afatit dhe shumë e shumë gjëra të tjera”, theksoi Totaj.