Totaj: Në vend të shkarkimit për keqmenaxhim të Pandemisë, Haskuka avancoi Visar Shehun
Nënkryetari i PDK-së, njëherësh kryetar i degës së kësaj partie në Prizren, Shaqir Totaj ka kritikuar vendimin e kryetarit të komunës Mytaher Haskuka, për emërimin e Visar Shehut në postin e nënkryetarit të komunës.
Sipas Totajt, Shehu, të cilin ai e ka vlerësuar si “xhoker” për plotësimin e zbrazësive të krijuara, në “axhami” qeverisjen komunale tashmë të degraduar” është dashur të shkarkohet për shkak të keqmenaxhimit të Pandemisë, pasi Prizreni qëndron në krye të listës për nga numri i rasteve me të infektuar.
Ish-drejtori për Shëndetësi, Visar Shehu është caktuar në vend të paraardhësit të tij, Esheref Memaj, që u shkarkua javën e kaluar nga Haskuka, pas prishjes së koalicionit të Vetëvendosjes me LDK-në.
Ky është postimi i plotë i Totajt:
“Në një qeverisje normale dhe të përgjegjshme, kryetari Haskuka është dashur ta shkarkojë nga detyra e drejtorit për Shëndetësi Visar Shehun, për shkak të menaxhimit të dobët të Pandemisë, meqenëse Prizreni qëndron në krye të listës për numrin e rasteve në vend.
Por, në vend të ndëshkimit, Haskuka e ka avancuar atë, duke e emëruar nënkryetar të Komunës së Prizrenit.
Kjo dëshmon se shpresa e vetme e Haskukës është një Visar Shehu, të cilin e përdor si “xhoker” për plotësimin e zbrazësive të krijuara, në “axhami” qeverisjen komunale tashmë të degraduar.
Faturën e tërë kësaj po e paguajnë qytetarët. Ja ndryshimi i premtuar i Vetëvendosjes në Prizren!”, ka shkruar Totaj.