24-05-2025

Totaj nga injorimi i mësuesve te subvencionet “elektorale” për OJQ pasive

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, që reklamohej si “menaxher”, gjatë qeverisjes është përballur me kritika për keqmenaxhim buxheti dhe sjellje të padrejtë ndaj mësimdhënësve. Përkundër premtimit se do të paguajë shujtat për arsimtarët, kjo nuk ndodhi kur erdhi në pushtet. Si pasojë, mësimdhënësit janë detyruar t’i kërkojnë të drejtat në gjykatë, duke u përballur me vonesa, pagesa për avokatë e përmbarues dhe stres të panevojshëm.

Pra, Totaj nuk e zbatoi Kontratën Kolektive, të nënshkruar nga PDK, të cilës ia pa hajrin, duke u bërë kryetari i komunës së dytë në vend, pa pasur ndonjë kontribut as partiak e lëre më kombëtar.

Në vitin e fundit të mandatit, Totaj lansoi “trikën” për vendim rreth lehtësimit të realizmit për mjetet e punëtorëve të arsimit, të parapara nga Kontrata Kolektive, ku parashihen disa benificione financiare, shkruan Gazeta e Prizrenit. Sipas kësaj strategjie, Komuna i ndërpreu ankesat ndaj padive të arsimtarëve në gjykatë, ndonëse ata prapëseprapë do ta vazhdojnë marrjen e mjeteve me avokatë përmes gjykatës, por se procedura mund të përshpejtohet.

Totaj i njohur edhe nga publikimi i një audio-incizimi në media për “trika” në konkurse, provoi t’u shes mjegull punëtorëve të arsimit, që e dinë se gjithsesi i kanë të fituara rastet në gjykatë, pasi një pjesë edhe i ka marrë mjetet financiare.

Për me keq, kur kryetari njoftoi, pothuajse pjesa më e madhe e aplikimeve nga arsimtarët ishin kryer, dhe sipas disa avokatëve, Komuna e Prizrenit kishte parashtruar ankesa për t’i zhagitur ato. Për shkak të realizimit përmes gjykatës, sipas sindikalistëve nga kjo formë është edhe në dëm të buxhetit, meqë përfitojnë shuma të “majme” avokatë, përmbarues, etj. Pra, Totajt i doli gjumi, në përfundim të mandatit,  ku sipas parashikimeve aktuale të analistëve, ka pak gjasa të mbetet në post, sidomos pas rezultatit të zgjedhjeve qendrore, ku prizrenasit nuk përfillën thirrjet e kryetarit, duke e ndëshkuar me vota partinë e tij, që doli e dyta apo me gati 50 % më pak se VV ( e para).

Ironikisht, vetëm pak muaj para zgjedhjeve, Totaj tash e hapi “kuletën” e Komunës duke ndarë subvencione për OJQ e individë, disa prej të cilëve pasive, me aktivitet fare të panjohur, madje as për përfaqësues të mediave, që përcjellin zhvillimet. Kjo po shihet më tepër si tentativë për të ndikuar votuesit përmes përfitimeve financiare të momentit, e jo përmes rezultateve konkrete.

Pra, a po përdoren fondet publike për interesa të ngushta politike, në vend që të përkrahen ata që realisht i meritojnë e kanë kontribriut në jetën publike – siç janë arsimtarët, një pjesë e të cilëve kanë punuar edhe gjatë viteve të 90-ta në shtëpitë-shkolla. Për më keq në tabelat e vëna në ato objekte, ekziston edhe firma e Totajt, anipse ai nuk ka kurrfarë kontributi për atë kohë. Madje duhet shikuar, nëse  ka ndonjë dëshmi pagese për funksionimin e arsimit paralel shqiptar.

Shiko Listën e OJQ-ve e individëve : https://prizren.rks-gov.net/…/Lista-preliminare-per…

Ndërkohë, për dy vite me radhë, Komuna e Prizrenit ka kthyer në buxhetin qendror rreth 15 milionë euro si tepricë – fonde që, sipas kritikëve, mund të ishin shfrytëzuar për përmirësimin e arsimit, shëndetësisë dhe infrastrukturës lokale./ Gazeta e Prizrenit

Lexo edhe:

“Trika” elektorale e Shaqir Totajt ndaj mësimdhënësve në fund të mandatit

Asnjë koment

Comments are closed.