24-11-2024

Totaj nga PDK në Prizren kritika pushtetit për dështime, kërkon dorëheqjen e Haskukës

PDK në Prizren kërkon dorëheqjen e Mytaher Haskukës

Kryetari i PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj, në një konferencë shtypi, sot derisa ka hedhur kritika të shumta në adresë të pushtetit, për siç ka thënë drejtor me aktakuza dhe dështime të shumta, përfshirë edhe dekorimin e qytetit për Vitin e Ri ka kërkuar nga kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka ta shqyrtojë mundësinë e dorëheqjes së tij si akt moral dhe të largohet nga posti.

Komunikata e plotë:

Deri sa ishin në opozitë VV dhe LDK, kanë qenë tepër të zëshme, shumë herë pa vend, për të kritikuar qeverisjen lokale në Prizren dhe kryetarin e atëhershëm, duke kërkuar në vazhdimësi jo vetëm shkarkimin e drejtorëve me aktakuza, por edhe dorëheqjen e vet kryetarit z. Ramadan Mujës.

Dëshmi më e mirë për këtë, është kjo foto e asaj kohe.

Asokohe, partitë opozitare që tani janë në koalicion qeverisës të udhëhequr nga Vetëvendosje, proklamonin qeverisje me duar të pastra, duke manipuluar opinionin dhe duke premtuar standard qeverisës më të lart, kur ata të vijnë në pushtet.

Gjatë fushatës elektorale, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, z. Haskuka në mënyrë frontale, disa herë pa arsye, ka kritikuar në mënyrë shumë agresive, pothuajse çdo gjë që ka pasur lidhje me pushtetin e atëhershëm lokal në Prizren.

Vetëvendosje ka premtuar mrekulli, në momentin kur e merr pushtetin.

Por çka po ndodh në vazhdimësi, gjatë qeverisjes së z. Haskukës në Prizren, në këto 2 vitet e fundit ?

Për më pak se 2 vite, koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Vetëvendosje, kanë arritur t’i kenë 4 drejtorë me aktakuza.

Nga ta, 1 drejtor kohë më parë është tërhequr, kurse 3 drejtorë të tjerë, tashmë qe 2 javë janë me aktakuza.

Kohë më parë, akoma pa u bërë drejtora, personat me iniciale F. M. dhe E. O. kanë qenë të dënuar nga organet e drejtësisë dhe ky fakt tregon se sa ka qenë i kujdesshëm, Kryetari Haskuka në emërimin e drejtorëve, si dhe me çfarë kritere i ka selektuar ata !

Të gjitha ato veprime, për të cilat e kanë kritikuar qeverisjen e PDK-së, koalicioni qeverisës po i bënë tani, vetëm se në një kohë më të shkurtër dhe në një formë më të ashpër. Kur e themi këtë, e kemi parasysh faktin se gabimi i njejtë i bërë 7-8 vite, më vonë ka peshë më të madhe specifike.

Për çudi, Kryetari i Komunës së Prizrenit z. Mytaher Haskuka, vazhdon që për dështimet e tij, ta akuzoj akoma PDK-në, e cila tashmë e ka paguar faturën për lëshimet e veta.

Ai shkon edhe më tutje, duke akuzuar edhe të gjitha institucionet tjera, përfshirë këtu edhe prokurorinë dhe gjykatën për ‘’pengesa’’, që po i shkaktojnë atij në punë dhe duke pretenduar se këto aktakuzat e reja, të ngritura tashmë para 2 jave janë politike, e që duket të jetë paradoksale.

  1. Haskuka nuk po ndalet me kaq, po vazhdon të kritikoj dhe në raste të veçanta të akuzoj edhe shoqërinë civile, pra OJQ-të, që po e ‘’sabotojnë’’ dhe duke kritikuar pa bazë, se kinse po e pengojnë në punë. Siç duket është mësuar Myta që shoqërinë civile, ta përjetoj si aleate të pakusht dhe të përhershme, duke harruar kështu se shoqëria civile, prioritet e ka kualitetin e jetës në qytetin e Prizrenit dhe është e natyrshme dhe e pritur që e kritikojnë pushtetin për dështime, pavarësisht se cila parti për momentin mund të jetë në qeverisje.

Dega e PDK-së në Prizren, kërkon dhe insiston që z. Haskuka, t’i shkarkoj drejtorët e akuzuar tashmë, nga Prokuroria Themelore në Prizren.

I rekomandojmë z. Haskukës, që pas të gjitha këtyre dështimeve, për më pak se 2 vite qeverisje, seriozisht ta shqyrtoj mundësinë e dorëheqjes së tij si akt moral dhe të largohet nga posti, i cili me përshkrim të detyrave që duhen kryer si Kryetar i Komunës, shumëfish i tejkalon potencialet dhe kapacitetet e tij menaxhuese.

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.